Sulmet e Kurtit ndaj Korporatës Devolli – Lidhja e Bizneseve dënon ashpër gjuhën e kryeministrit

Sulmet e Kurtit ndaj Korporatës Devolli – Lidhja e Bizneseve dënon ashpër gjuhën e kryeministrit

Lidhja e Bizneseve të Kosovës përmes një komunikate thonë se e dënojnë ashpër përdorimin e fushatës zgjedhore, për të sulmuar imazhin e bizneseve që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit

Ky reagim vjen pas sulmeve të kryeministrit Albin Kurti ndaj Korporatës Devolli, mbrëmë në një tubim elektoral në Pejë

Sipas LBK-së, është e papranueshme që figura të larta publike të shprehin deklarata që cenojnë sektorin privat dhe krijojnë një klimë frikësimi për bizneset që operojnë në vend.

Komunikata e plotë e Lidhjes së Bizneseve të Kosovvës:

Lidhja e Bizneseve të Kosovës dënon ashpër përdorimin e fushatës zgjedhore për të sulmuar imazhin e bizneseve që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe punësojnë mijëra qytetarë. Në veçanti, hedhim poshtë çdo formë të gjuhës së urrejtjes apo akuzave të pabazuara, të cilat synojnë të dëmtojnë integritetin e korporatave, në rastin e fundit kundër Devolli Group dhe Devolli Corporation. Ne konsiderojmë të papranueshme që figura të larta publike, të shprehin deklarata që cenojnë sektorin privat dhe krijojnë një klimë frikësimi për bizneset që operojnë në vend. Këto akte dëmtojnë jo vetëm imazhin e kompanive të përfshira, por edhe perspektivën e investimeve të huaja, duke rrezikuar stabilitetin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Bizneset si Devolli Group dhe Devolli Corporation janë shtylla të rëndësishme të ekonomisë sonë, duke siguruar mijëra vende pune dhe duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në zhvillimin ekonomik të vendit. Çdo sulm ndaj bizneseve për qëllime politike duhet të ndalet menjëherë, pasi këto veprime nuk përfaqësojnë interesin publik dhe dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës si një vend i hapur dhe i sigurt për investime. Apelojmë që politika të shmanget nga sulmet e pabazuara ndaj sektorit privat dhe të përqendrohet në ndërtimin e një klime pozitive dhe mbështetëse për bizneset që operojnë në vendin tonë. Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e angazhuar për mbrojtjen e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të ndershëm për të gjitha bizneset, duke inkurajuar transparencën, respektimin e ligjit dhe partneritetin ndërmjet sektorit publik dhe privat për një Kosovë më të fortë ekonomikisht.

Shpërndaje në: