Suedezja Andersen në krye të Kombëtares së femrave
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave është bërë me selektore të re.
Suedezja Anneli Karin Andersen tash e tutje do t’ju prijë “Dardaneve”.
Ajo është prezantuar sot përmes një konference për shtyp nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Ajo ka premtuar se do të punojë maksimalisht për ta ngritur futbollin e femrave në vendin e tonë, respektivisht Kombëtaren e Kosovës tek femrave, edhe pse e pranoi se nuk do të jetë e lehtë ta bëjë një gjë të tillë, duke e pasur parasysh nivelin e futbollit të femrave në Kosovë.
Andersen në të kaluarën ka qenë selektore e Suedisë për moshën U-23, ndërsa është e gatshme për sfidën e radhës me Kosovën, me të cilën synon të arrijë suksese.
Ajo do ta zëvendësojë Afërdita Fazlijën, e cila ishte shkarkuar së fundmi.
Ish-selektorja me këtë rast kishte hedhur akuza ndaj kryetarit Agim Ademi për parregullsitë dhe diskriminimin e futbollit të femrave në vend.
Madje, ajo kishte thënë se aq në gjendje të rëndë është Kombëtarja e fermave sa që në një rast nuk kishte as fanella dhe se ishte detyruar të luante me fanellat e lojtarëve të Kombëtares së meshkujve.