Subvencionimi i teksteve shkollore, Komisioni hetimor merr një vendim

Subvencionimi i teksteve shkollore, Komisioni hetimor merr një vendim

Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve arsimore u ka dhënë afat shtesë prej pesë ditësh DKA-ve për kthimin e përgjigjeve të kërkuara nga ky komision, në të kundërtën do ndiqet rrugë penale.

Në mbledhjen e radhës, komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/24 ka përzgjedhur tre ekspertë, nga fusha të ndryshme.

“Prej nëntë personave, komisioni me dakrodim i ka zgjedhur tre në fusha të ndryshme, Fikret Ibrahimi, Bashkim Mustafa, dhe Ilmi Jashari”, bëri te ditur kryetari i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj.

Ndërkaq lidhur me procesin e mëtutjeshëm, anëtarët e këtij komisioni thanë se duhet vazhduar me propozimet tjera.

Bekim Haxhiu tha se nga sot do duhej të bëjnë propozime e ne mbledhjen e ardhshme do të aprovohen.

Ndërkaq në lidhje me komunikimin e drejtorive komunale arsimore, u tha se Istogu, Mitrovica, Gjakova, Prizreni ishin prej komunave më bashkëpunuese.

Deputetja, Majlinda Tishukaj theksoi se ditëve në vazhdim nëse ka propozime do të dërgohet, duke kërkuar dakordancë mes grupit.

“Deri më tani është përgjigjur Mitrovica, Prizreni, Gjakova, Istogu, përgjigjët që janë dhënë Ferizaj, Prizreni, ia kanë huq totalisht, pasi 2024/25 nuk është pjesë hetimore, e nëse ne s’kemi material bazë nga komunat atëherë do të kemi probleme, informacion të mangët”, tha Tishukaj.

Ndërkohë, deputeti Bekim Haxhiu, ka kërkuar të dijë nëse ka listë të përfituesve.

“A i kanë marrë para 1 shtatorit, na duhet lista e përfituesve, duhet të dihet saktë se kur dhe sa mjete janë shpenzuar, sepse ka pas familje qe i kanë tre nxënës e janë furnizuar vetëm një”, theksoi ai.

Ndërsa, kryetari i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj tha se do të ketë afat shtesë prej pesë ditëve dhe do të kërkohet për ata që nuk i kanë dërguar informacionet, në rrugë penale, për ata që nuk i përgjigjen kërkesës së komunikimit për secilin dokument veç e veç. /eo

Shpërndaje në: