Studimi: Zoti/Natyra krijoi njerëzit e pashoqërueshëm e depresivë për ta ruajtur njerëzimin nga sëmundjet si Koronavirusi
10 për qind e popullsisë në botë ka vuajtur nga depresioni i rëndë të paktën në një pikë të jetës së tyre. Ndërsa prej 30 deri në 50 për qind e popullsisë ka vuajtur nga ndonjë soj depresioni.
Simptomat e depresionit janë gjetur në çdo kulturë në Tokë dhe përgjatë gjithë historisë, megjithëse dikur quhej melankoli.
Për dallim nga çrregullimet e tjera psikiatrike, që janë të rralla, depresioni është shumë i zakontë.
Sipas një studimi nga Universiteti i San Diegos, depresioni në ShBA është rritur vazhdimisht në dekadat e fundit, dhe njerëzit po i vuajnë pasojat edhe sot. Edhe shkalla e vetëvrasjeve është më e lartë se kurrë, shkruan BigThink, përkthen Periskopi.
Më shumë njerëz vdesin në botë nga dora e tyre se sa që vdesin nëpër luftëra apo vetura aksidenti, edhe nëse këta dy shkaktarë i bëjmë bashkë.
Veçanërisht gratë dhe moshat e mesme janë më të rrezikuara për vetëvrasje. Studimet tregojnë se në shumicën e rasteve, depresioni apo çrregullimet e tjera janë faktorë motivues për t’i marrë vetes jetën.
Hulumtuesit kanë bërë me gisht ndër vite kah ankthi ekonomik, jostabiliteti i punës dhe telashet financiare më saktësisht.
Një tjetër arsye mund të jetë izolimi i shtuar social. Një studim madje e kishte quajtur vetëvrasjen si nënprodukt të modernitetit.
Por, çka nëse depresioni në një kohë i dha avantazh të madh evoluimit të qenieve njerëzore?
Disa hulumtime tregojnë kah neurofiziologjia si bazë për depresionin. 5HT1A është receptori i serotoninës. Ky është neurotransmetuesi që na jep neve sensin e mirëqenies. Në disa studime, kur receptori po zhdukej në modelet e brejtësve, ata ishin rezistues të simptomave të depresionit. Kompanitë farmaceutike aktualisht po zhvillojnë ilaçe që e shënjestrojnë pikërisht atë receptor.
Të tjera studime kanë treguar se truri funksionon ndryshe te njerëzit që vuajnë nga depresioni. Një zonë e trurit e njohur si korteksi parafrontal ventrolateral [VLPFC] tregon aktivitet të jashtëzakonshëm analitik te njerëzit në depresion. Kjo zonë është e njohur për angazhimin që i bën të menduarit analitik. Njerëzit me depresion shpesh thellohen duke menduar për problemet e tyre. Kur kjo ndodh, neuronet në këtë rajon zjarrmojnë në baza të vazhdueshme. Receptori 5HT1A mendohet se ofron ushqimin për këto neurone që angazhojnë procesin e të menduarit të thellë.
Për shkak të kësaj, shkencëtarët potencojnë se depresioni është një proces biologjik që ndihmon personin që të shmang shpërqendrimet, në mënyrë që të koncentrohet në probleme të vështira. Psikologu evolucionar Paul Andrews potencon se “hipoteza e thellimit në mendime analitike” që thotë se duke promovuar një periudhë të thellimit, dikush mund të vijë me një zgjidhje e prandaj, edhe të rris shanset për mbijetesë.
Ka edhe prova që e mbështesin këtë teori. Hulumtuesit kanë treguar që depresioni ndihmon në konsolidimin e memorieve në kujtesën e individëve. Po ashtu, ata që kanë pasur depresion janë dëshmuar si më të mirë në zgjidhjen e problemeve sociale. Dhe kohezioni social ishte skajshëm më i rëndësishëm për të parët tanë. Nëse grupi nuk bashkëpunonte, si mund të mbijetonte?
Një tjetër teori është se depresioni i rëndë është reagim imunitar. Ato gjene që e ushqejnë sistemin imunitar për të luftuar infeksionin po ashtu e rrisin rrezikun nga depresioni sipas Andrew Millerit.
Simptomat që i lidhim me depresionin përfshijnë lodhjen, humbjen e dëshirës për të marrë pjesë në aktivitete që japin kënaqje, dhe tërheqjen nga shoqëria.
Kjo i ka mbajtur sëmundjet ngjitëse larg nga grupi social, duke ndihmuar që të ndalohet infeksioni. Personi po ashtu ruan energjinë, që mund të përdoret si një ndihmë për përgjigjen imunitare ndaj sëmundjeve. Avancimet në shkencat mjekësore dhe në shëndetin publik mund ta kenë bërë këtë reagim paksa të vjetruar, por për të parët tanë, infeksioni ishte vrasësi më i madh./Periskopi