Studimi: Tumori i trurit vret më shpesh meshkujt se sa femrat

Studimi: Tumori i trurit vret më shpesh meshkujt se sa femrat

Sipas një studimi të ri, meshkujt kanë më shumë gjasa sesa gratë që të vdesin nga kanceri i trurit për shkak të dallimeve thelbësore në mënyrën se si zhvillohet sëmundja. Tumori në tru është një masë e qelizave abnormale (jo normale) të cilat rriten dhe përhapen në tru.

Ekzistojnë lloje të ndryshme të tumorit, disa prej tyre janë beninje dhe disa të tjera malinje. Tumori mund të fillojë të zhvillohet në tru ose të përhapet nga truri në pjesë të tjera të trupit (metastaza e trurit). Çdo tumor zhvillohet në mënyrë të ndryshme, dhe simptomat të cilat manifestohen varen nga presioni i shkaktuar nga rritja e tyre, apo nga vendi në të cilin rritet.

Simptomat më të zakonshme të tumorit në tru, për shkak të të cilave pacientët paraqiten tek mjeku, është dhimbja e kokës dhe kriza të cilat mund të përfundojnë me humbje të vetëdijes. Por nuk duhet të bëni panik, apo menjëherë të dyshoni se keni tumor nëse ndjeni dhimbje koke. Këto simptoma janë të përbashkëta edhe me sëmundje të tjera. Në rast se keni dhimbje të vazhdueshme të kokës, është e rëndësishme që të paraqiteni tek mjeku për të përcaktuar shkakun e dhimbjes.

Ndërkohë sipas studimit meshkujt e diagnostikuar me kancer është provuar se vdesin më shumë dhe më shpejt sesa gratë, sipas studimit të realizuar nga hulumtuesit e Universitetit të Ëashington në St. Louis. Ata arritën në përfundimin se janë procese të ndryshme që ndikojnë në kancerin e trurit, duke bërë që zhvillimi i sëmundjes të varet nga gjinia e mbartësit. Edhe pse u përqendruan tek glioblastoma, ata besojnë se lloje të tjera të kancerit funksionojnë në të njëjtën mënyrë.

Studimi, titulluar “Brain tumors’ battle of the sexes’ u botua të mërkurën në Science Translational Medicine. Studimi tregon se roli i gjinisë në zhvillimin dhe trajtimin e këtij lloji të kancerit shkon përtej hormoneve ose mënyrës së jetesës që ndryshojnë në varësi të moshës së një personi dhe rajonit. Jingqin “Rosy” Luo, një nga hulumtuesit e studimit, sugjeroi se qelizat e kancerit jo vetëm që zhvillohen ndryshe tek meshkuj dhe femrat, por që ky fakt ka gjasa të jetë rrënja e rezultateve përfundimtare.

Shpërndaje në: