Studimi i FIFA-s – Kush janë “viktimat” e racizmit, kryesojnë lojtarët e Anglisë
Prej shumë kohësh, FIFA është një nga institucionet më aktive në luftën kundër racizmit. Shtëpia ndërkombëtare e futbollit mbetet e paepur në këtë iniciativë për të shmangur një sjellje që dëmton rëndë integritetin e futbollistëve.
Një qëndrim që përcaktohet që nga sloganet simbol si: ‘Thuaj Jo Racizmit’ apo ‘Ne Kujdesemi për Futbollin’.
Megjithatë, futbolli ka qenë dëshmitar i ngjarjeve të panumërta që kanë konsistuar me racizëm ndaj futbollistëve. Sipas një studimi të FIFA-s në kompeticionet e fundit elitare, rezultoi se abuzimi më i lartë ishte pikërisht ndaj Jadon Sancho, Marcus Rashford dhe Bukayo Saka në finalen e Europianit.
Në Euro 2020, 76% e abuzimit u shenjëstrua drejt lojtarëve me ngjyrë, me rrjetin social Twitter që mbretëron për numrin e lartë të statuseve që përmbajnë mesazhe fyese dhe ofenduese.
Ndërkohë, 38% e abuzuesve ishin nga Anglia, që sigurisht nuk u përmbajtën pasi Sancho, Rashford dhe Saka i kushtuan trofeun e parë që prej vitit të largët 1966 më shpërdorimin e 11-metërshave.
“Detyra jonë është që të mbrojmë futbollin. Kjo fillon që nga lojtarët që na sjellin emocion dhe argëtim me mënyrën se si shprehen në fushën e lojës. Fatkeqësisht, ekziston një trend në ngjitje për numrin e postimeve me kontekst abuzues ndaj lojtarëve, trajnerëve, zyrtarëve të ndeshjes dhe ndaj skuadrave. Kjo është e papranueshme!Si çdo forme tjetër diskriminimi, kjo sjellje nuk ka vend në futboll. Me Kupën e Botës Katar 2022 në horizont, kemi kuptuar që është e rëndësishme të monitorojmë çdo postim abuzues në rrjete sociale, në të njëjtën mënyrë siç monitorohet çdo lëvizje në stadium. Duam që veprat tonë të kenë më shumë ndikim se fjalët dhe për këtë arsye po marrim masa konkret për ta‘flakur’ problemin tutje”, u shpreh presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino./SS