Studimi i fundit: Hunda mund të nuhasë edhe vdekjen
Studimet e fundit na bëjnë me dije se shqisa e nuhatjes është tregues i jetëgjatësisë sonë. Thuhet se personat që humbasin ndjesinë e nuhatjes në një moshë të caktuar janë të prirur për të vdekur më shpejt.
Edhe pse në fakt studimet e mëparshme kanë rezultuar se ekziston një lidhje mes sëmundjes së Alzheimer-it dhe humbjes së nuhatjes, akoma nuk ka një studim të detajuar që e shpjegon këtë fenomen, ndikimi i së cilit është jo pak i rëndësishëm në jetën tonë.
Nga një studim i Harvardit rezultoi se personat të cilët vuanin nga kjo sëmundje kishin vështirësi në nuhatje, madje nuk ishin në gjendje të dallonin shijet e ngjashme të frutave të ndryshme.
Poashtu, kërkuesit në Universitetin e Çikagos studiuan 3000 burra dhe gra, të moshave 50-80 vjeç, të cilëve iu dhanë një test nuhatjeje. Më pas, i ndoqën ata për një periudhë 5-vjeçare.
Subjekteve iu dhanë katër lloje erërash dhe iu kërkua të njihnin erërat e përditshme, ku përfshiheshin era e mentës, portokallit, trëndafilit, lëkurës dhe peshkut. Pas 5 vitesh, një në tetë subjekte kishin vdekur dhe parashikuesi më i madh i vdekjes së tyre ishte nuhatja.
Afërsisht 40% e atyre që kishin dështuar në testin e nuhatjes kishin vdekur, ndërsa 19% e tyre kishin pasur shenja të moderuara të humbjes së kësaj shqise. Vetëm 10% e subjekteve me një shqisë të shëndetshme të nuhatjes bënin pjesë në “listën e vdekjes”.
Testet e nuhatjes janë përdorur edhe si mjete diagnostike, ndaj mos e lini pas dore shqisën tuaj të nuhatjes.
Gjithsesi, derisa ekspertët e fushës të japin përfundime të tjera rreth kësaj, njerëzit të cilët vënë re ndryshime në shqisën e nuhatjes, nuk duhet të shqetësohen pasi ajo mund të vijë dhe nga shkaqe të tjera, siç mund të jetë sinoziti.
Më e mira që mund të bëni është një vizitë rutinë tek mjeku. /Telegrafi/