Studimi: 11 minuta ushtrime në ditë ndihmojnë për të jetuar më gjatë
Të gjesh kohën për të bërë stërvitje është një sfidë më vete. Por një studim i ri ka zbuluar se mjaftojnë vetëm 11 minuta stërvitje çdo ditë për të pasur një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme. Studimi i publikuar në CNBC tregon se ushtrimet sjellin përfitime në jetëgjatësi, pasi ulin rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve që lidhen me moshën siç janë sëmundjet kardiovaskulare apo diabeti i tipit 2.
Nga ana tjetër ulja e aktivitetit fizik që lidhet me energji të paktë trupore lidhet me sëmundje dhe vdekje më të hershme. Sipas studimit personat që qëndrojnë ulur për shkak të punës për 8 deri në 10 orë në ditë, por arritën të bënin 11 minuta ushtrime të moderuara deri në të forta në ditë, kanë më pak gjasa të vdesin sesa ata që bëjnë vetëm dy minuta ushtrime fizike në ditë.
Udhëzimet e aktivitetit fizik për amerikanët sugjerojnë që të rriturit duhet të bëjnë 150-300 minuta në javë (ose 20-45 minuta në ditë) aktivitet me intensitet të moderuar, ose 75-150 minuta në javë (ose 10 deri në 20) minuta në ditë) të aktivitetit fizik aerobik me intensitet të fuqishëm. Ose, një kombinim ekuivalent i aktivitetit aerobik me intensitet të moderuar në të fuqishëm.
Për shembull, të bësh një ecje, të luash tenis dhe të punosh në kopshtin e oborrit konsiderohen aktivitete me intensitet të moderuar. Vrapimi, një orë fitnesi, ecja gjatë në këmbë dhe madje mbajtja e sendeve të rënda konsiderohen si ushtrime të fuqishme.
Nuk është e qartë saktësisht se sa aktivitet fizik u duhet njerëzve për të larguar pasojat e qëndrimit ulur gjatë gjithë ditës, por studimi i ri tregon se pak lëvizje dhe ushtrime çdo ditë është më mirë sesa të mos bësh asgjë dhe mund të ketë efekt në jetëgjatësi.
Nëse rutina e përditshme përfshin shumë orë qëndrimi ulur, merrni parasysh të vendosni një alarm për të kujtuar veten që të ngriheni dhe të lëvizni çdo disa orë.
Për këtë studim, ekspertët vëzhguan të dhënat lidhur me aktivitetin fizik për 44,370 burra dhe gra të moshës së mesme në SHBA, Norvegji dhe Suedi.