Studim: Dimri do ta shtojë përhapjen e koronavirusit
Sipas një studimi në Indi, temperaturat e ulëta gjatë dimrit do të sjellin rritje të numrit të rasteve të koronavirusit.
Hulumtuesit indianë e hulumtuan raportin mes temperaturës mesatare të vendit dhe numrit të rasteve me Covid-19, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Ata gjetën një lidhje të konsiderueshme mes shteteve që kanë pasur temperatura më të ulëta dhe shkallës më të lartë të përhapjes së virusit.
Ky rezultat mund të jetë paralajmërim për telashe në hemisferën veriore, të cilën e pret dimri pas disa muajve.
Studiuesit e Universitetit të Rajasthanit i mblodhën të dhënat për temperaturën në vende të ndryshme në mars dhe në prill.
Ata zbuluan se vendet me klimë më të ftohtë kishin më shumë gjasa për numër më të lartë të rasteve të koronavirusit.
Në anën tjetër, rastet ishin më të pakta në vendet me lartësi më të vogël mbidetare dhe me mot më të ngrohtë.
Megjithatë, shkencëtarët thanë se nevojitet studim i faktorëve të tjerë në të ardhmen, siç është numri i personave që vuajnë nga kanceri, diabeti, mbipesha dhe shtypja e lartë e gjakut, që mund të ndikojnë në numrin e viktimave në secilin shtet veç e veç.