Strohmeyer: Nuk më kujtohet ta kem parë Thaçin duke i dhënë urdhra dikujt, mendonim që ai ishte përgjegjës i UÇK-së

Strohmeyer: Nuk më kujtohet ta kem parë Thaçin duke i dhënë urdhra dikujt, mendonim që ai ishte përgjegjës i UÇK-së

Hansjeorg Strohmeyer gjatë dëshmisë së tij në Hagë, mohoi se e ka parë Hashim Thaçin duke dhënë urdhra gjatë kohës sa dëshmitari ishte me misionin e UNMIK-ut si këshilltar juridik në Kosovë më 1999.

Ai gjithashtu pohoi se është e vërtetë të thuhet që ai nuk e kishte parë ndonjëherë Thaçin duke i dhënë urdhra Agim Çekut ose ndonjë prej anëtarëve të UÇK-së apo dikujt tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Nuk më kujtohet. Nuk mund të them as po as jo. Nuk më kujtohet ndonjë rast konkret. Unë të paktën nuk e kam parë që t’i japë urdhra dikujt në praninë time, ndonjë komandanti apo ndonjë personi. Më janë bërë disa herë pyetje për këtë”, tha Strohmeyer.

Në një shënim përgatitor të lexuar nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, pretendohet se dëshmitari ka thënë se personat që kontaktonte UNMIK-u në atë kohë ishin Thaçi për aspekte politike, ndërsa Agim Çeku për ato ushtarake.

“Ky ishte perceptimi im. Mbaj mend që për aspekte politike duhej t’i drejtoheshim zotit Thaçi. Ndërsa, për marrëveshjen dhe për çështje që lidheshin me KPI-në mendonim që duhej t’i drejtoheshim zotit Çeku ose mendonim që ai ishte personi i kontaktit”, tha dëshmitari.

Strohmeyer gjithashtu theksoi se ata e kishin përshtypjen se ka ekzistuar hierarki në UÇK dhe se anëtarÇekut e UNMIK-ut do të thonin se përgjegjës ishte Thaçi.

“Sipas nesh, ose mënyra se si e kishim kuptuar ne, ndonëse nuk e kishim shprehur- mendojmë se ka pasur një hierarki. Ka ekzistuar një hierarki. Për shembull nëse do të pyesni personat në UNMIK se kush janë personat përgjegjës në UÇK të gjithë do të thonin zoti Thaçi”, tha Strohmeyer.

Fjala e tij u ndërpre nga avokati Mishetiq, duke i thënë se nuk iu interesojnë anketat. Ndërsa, për pyetjet e fundit Mishetiq kërkoi seancë private, gjë e cila u aprovua nga trupi gjykues.

Gjykatësi njofton se Specialja i ka dhënë garanci ish-këshilltarit të UNMIK-ut, por s’tregon për çka bëhet fjalë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të martën po vazhdon dëshminë ish-këshilltari juridik i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer, i cili mban kodin W02183 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Këtij dëshmitari, Specialja i ka dhënë garanci, të cilën gjë e përmendi sot kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, por tha që “nuk duhej ta kishte thënë këtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ju kujtoj gjithashtu se garancitë e dhëna për ju të enjten… ju kërkoj ndjesë nuk duhej ta kisha thënë këtë”, tha Smith.

Megjithatë, nuk u bë e ditur se çfarë garancie i është dhënë këtij dëshmitari.

Pyetjet për këtë dëshmitar i parashtroi mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, i cili u fokusua tek formimi i Këshillit Tranzitor të Kosovës (KTK).

Sa i përket kësaj strukture, Strohmeyer kishte deklaruar se Thaçi i kishte caktuar vetëm emrat nga UÇK-ja. Gjithashtu, kishte shtuar se nuk ka dashur që t’i përfshijë serbët apo grupet e tjera etnike, si dhe ka dashur që të minimizojë ndikimin e grupeve shqiptare të Kosovës siç është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK),

Dëshmitari mohoi se ka dijeni se pjesë e kësaj strukture kishte nga ndërkombëtarë, por tha që kishte edhe shqiptarë të tjerë përveç atyre që i përkisnin UÇK-së.

Gjithashtu, u mor vendim që dëshmitari 02714 mund të dëshmojë përmes video-lidhjes.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shpërndaje në: