Statovci flet për shortin e Kosovës në Ligën e Kombeve, trajnerin e ri e ndeshjen Zvicër – Serbi

Statovci flet për shortin e Kosovës në Ligën e Kombeve, trajnerin e ri e ndeshjen Zvicër – Serbi

Kosova më datë 8 shkurt 2024 në Paris, ka njohur rivalët për sezonin e ri të UEFA Nations League 2024-2025. Kombëtarja e Kosovës ka mësuar kundërshtarët në fazën e grupeve të Ligës C.

“Dardanët” gjenden në grupin 2, bashkë me Rumaninë, Qipron dhe fituesin e duelit mes Lituanisë dhe Gjibraltarit.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me trajnerin e FC Phoenix, Faruk Statovcin për të kuptuar më shumë rreth grupit të Kosovës në Ligën e Kombëve si dhe për mundësinë e një trajneri të ri që do të tregojë rezultat real me Kombëtaren tonë.

Statovci tha se Kosova është në një grup të lehtë në këtë kompeticion, por që Rumaninë ai e sheh si problemi kryesor për ‘Dardanët’.

“Kosova është me një grup ku realisht mund të themi që konsiderohet si i kalueshem edhe pse kundershtare te lehte nuk ka. Unë mendoj se Rumania është skuadra më e fortë e grupit”, tha Statovci.

Tutje trajneri i Phoenix-it foli edhe për selektorin e ri të Kosovës që ende nuk është emëruar askush.

“Sa i përket selektorit është më mirë të mendojmë shumë e te gjejmë një i cili na përshtatet me grupin e lojtarëve që e kemi. Koha është për një trajner që ta kualifikojë Kosovën”, u shpreh ai.

Kështu edhe Kombëtarja e Zvicrës ka mësuar grupin e saj, që ndodhet në grupin e katërt të Ligës A me Spanjën, Danimarkën dhe Serbinë.

Statovic foli edhe për ndeshjen e shumë përfolur dhe grupin e Zvicrës në Ligën e Kombëve, ku Shaqiri dhe Xhaka do të takohen sërish me Serbinë.

“Ndeshja mes Zvicrës dhe Serbisë do të jetë me tension për djemtë tanë, por unë besoj tek ta, pasi janë profesionista dhe din ta menaxhojnë veten e tyre. Ky takim mendoj se do të jetë mjaft i vështirë por qe shpresojmë për rezultat pozitiv për Zvicrën”, tha ai.

Ndeshjet e edicionit të ri të Ligës së Kombeve nisin në muajin shtator. ‘Dardanët’ do të synojnë që të fitojnë këtë grup dhe të kalojnë në Ligën B’, në mënyrë që të rritet edhe më shumë kualiteti i skuadrave sfiduese.

Shpërndaje në: