Top 5 kombëtaret me më së shumti trofe të Botërorit

Më 11 qershor 2026 nis zyrtarisht Kupa e Botës FIFA 2026, turneu më i madh në historinë e futbollit, i organizuar nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika.
Ndeshja hapëse do të zhvillohet në Mexico City, duke shënuar fillimin e një gare ku 48 kombëtare do të luftojnë për trofeun më prestigjioz të futbollit botëror.
Ndërsa bota përgatitet për spektaklin e radhës futbollistik, historia na kujton kombëtaret që kanë lënë gjurmët më të mëdha në këtë kompeticion. Më poshtë renditen pesë kombëtaret me më së shumti tituj të Kupës së Botës.
1. Brazil – 5 tituj
Brazili mbetet kombëtarja më e suksesshme në historinë e Kupës së Botës, me pesë trofe të fituar në vitet 1958, 1962, 1970, 1994 dhe 2002. “Seleçao” është gjithashtu e vetmja kombëtare që ka marrë pjesë në çdo edicion të turneut. Emra legjendarë si Pele, Ronaldo dhe Ronaldinho kanë kontribuar në ngritjen e Brazilit në majat e futbollit botëror.
2. Gjermania – 4 tituj
Gjermania ka fituar katër herë Kupën e Botës, në vitet 1954, 1974, 1990 dhe 2014. E njohur për disiplinën taktike dhe mentalitetin fitues, kombëtarja gjermane ka qenë vazhdimisht një nga forcat më të mëdha të futbollit ndërkombëtar. Triumfi i vitit 2014 në Brazil mbetet një nga sukseset më të mëdha të epokës moderne.
3. Italia – 4 tituj
Edhe Italia numëron katër trofe të Kupës së Botës, të fituar në vitet 1934, 1938, 1982 dhe 2006. “Azzurrët” njihen për organizimin mbrojtës dhe aftësinë për të triumfuar në ndeshjet vendimtare. Fitorja e vitit 2006 ndaj Francës pas penalltive është ende e freskët në kujtesën e tifozëve, por që pjesa e historisë moderne nuk është aspak e mirë, sepse Italia për herë të tretë radhazi nuk do të jetë pjesë e Botërorit.
4. Argjentina – 3 tituj
Argjentina ka ngritur tre herë trofeun e Kupës së Botës, në vitet 1978, 1986 dhe 2022. Brezi i udhëhequr nga Diego Maradona shkroi histori në vitin 1986, ndërsa në vitin 2022, Lionel Messi kurorëzoi karrierën e tij me triumfin e shumëpritur në Katar.
5. Franca – 2 tituj
Franca renditet në vendin e pestë me dy tituj botërorë, të fituar në vitet 1998 dhe 2018. Gjenerata e udhëhequr nga Zinedine Zidane i solli vendit trofeun e parë, ndërsa skuadra e vitit 2018, me në krye Kylian Mbappe, riktheu Francën në fronin e futbollit botëror.











