Një tërmet i fuqishëm e trondit kampin e Anglisë para miqësores së Kupës së Botës

Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë të shkallës Rihter ka shkaktuar shqetësim në kampin e Kombëtares së Anglisë në SHBA, vetëm pak kohë para ndeshjes miqësore kundër Kosta Rikës.
Lëkundjet u ndjenë në Florida, ku skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel po e zhvillon fazën përgatitore për Kupën e Botës 2026, shkruan “The Sun”.
Sipas raportimeve, epiqendra e tërmetit ndodhej në perëndim të Kubës, ndërsa lëkundjet u ndjenë në disa zona të Floridës, përfshirë rajonin ku është akomoduar përfaqësuesja angleze.
Tërmeti konsiderohet më i fuqishmi në zonën e Gjirit të Meksikës në afro 150 vjet.
Autoritetet lokale raportuan evakuime të përkohshme në disa ndërtesa dhe panik te qytetarët, por nuk janë regjistruar viktima apo dëme të mëdha materiale.
Gjithashtu, nuk është lëshuar paralajmërim për cunami.
“Tre Luanët” ndodhen në Florida që prej fillimit të muajit qershor dhe pas ndeshjes kundër Kosta Rikës do të zhvendosen në Kansas City për fazën finale të përgatitjeve para fillimit të Kupës së Botës 2026.











