Rama për Al Jazeera: Projekti në Zvërnec do të realizohet pavarësisht kundërshtimeve

Protestat e zhvilluara gjatë javës së fundit në Shqipëri dhe projekti i planifikuar në Zvërnec kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, ndërsa kryeministri Edi Rama ka vijuar të mbrojë publikisht nismën që ka shkaktuar debat të gjerë.
Në një intervistë për Al Jazeera, kreu i qeverisë deklaroi se projekti, i cili kap vlerën e miliarda dollarëve, do të realizohet pavarësisht kundërshtive dhe spekulimeve që qarkullojnë. Sipas tij, investimi përfaqëson një mundësi të rëndësishme zhvillimi ekonomik për vendin.
Rama hodhi poshtë akuzat se qeveria po shet ose po i kalon pronë publike investitorëve privatë, duke theksuar se bëhet fjalë për një marrëveshje mes palëve private.
“Sa i përket projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe polemikë në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep duke e shitur vendin. Është pronë private. Është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë rol”, u shpreh kryeministri nga zyra e tij.
Deklaratat e kreut të qeverisë vijnë në një moment kur projekti në Zvërnec vijon të jetë në qendër të debatit publik, duke nxitur reagime nga aktivistë, banorë dhe organizata të ndryshme brenda dhe jashtë vendit./euronews/











