Operacion kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve në Kosovë, përfshihen edhe Europol dhe Belgjika, Franca e Holanda

Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke zhvilluar një operacion të gjerë kundër krimit të organizuar në disa lokacione të vendit.
Sipas një njoftimi të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, aksioni po realizohet nën monitorimin e Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Bëhet e ditur se operacioni lidhet me dyshimet për trafikim ndërkombëtar të substancave narkotike dhe përfshin hetime për veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, si dhe “pastrimi i parave”.
Në operacion po marrin pjesë edhe përfaqësues të Europol, si dhe autoritete ligjzbatuese nga Belgjika, Franca dhe Holanda, duke e bërë aksionin pjesë të një bashkëpunimi ndërkombëtar kundër rrjeteve të dyshuara kriminale.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se pas përfundimit të operacionit do të publikojnë informacione shtesë dhe rezultatet e aksionit përmes një komunikate të përbashkët.











