Numërohen gati gjysma e votave, këta janë kandidatët që pothuajse siguruan ulëse në Kuvend

Ka shkuar në gati 50% numërimi i votave të kandidatëve për deputetë që kanë garuar në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në qendrat komunale të numërimit, nga 2498 vendvotime, deri më tash janë numëruar 1,167 kuti, apo kthyer në përqindje i bie 46,72%.
Nga votat e deritanishme, disa prej kandidatëve duket se tashmë vetëm e kanë siguruar ulësen në Kuvendin e Kosovës, kur kanë mbetur për t’u numëruar edhe gjysma tjetër.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, dhjetëshja e parë ka prekur mbi 25 mijë vota secili, me Albin Kurtin që prin me 108 mijë e 817 vota. Ai pasohet nga numri dy, Glauk Konjufca që ka siguruar deri më tash 85 mijë e 415 vota. Në dhjetëshen e parë janë edhe Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla, Xhelal Sveçla, Avni Dehari, Mimoza Kusari Lila, Hajrullah Çeku dhe Ejup Maqedonci.
Kurse, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka kaluar mbi 50 mijë vota. Nga numërimi i deritanishëm ai ka siguruar 54 mijë e 178 vota, pasuar nga Përparim Gruda me 33 mijë e 947 vota. Dhjetëshja e PDK-së aktualisht përbëhet nga Arian Tahiri, Uran Isamili, Sala Jashari, Vlora Çitaku, Ganimete Musliu, Abren Mustafa, Mërgim Lushtaku dhe Enver Hoxhaj.
Nga LDK-ja, kandidatja për presidente, Vjosa Osmani e ka tejkaluar shifrën prej mbi 30 mijë votash. Deri më tash, ajo ka marrë 34 mijë e 736 vota, pasuar nga Lumir Abdixhiku që ka marrë 31 mijë e 533 vota. Në dhjetëshen e parë të LDK-së vota kanë siguruar edhe Doarsa Kica Xhelili, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Ukë Rugova, Kujtim Shala, Anton Quni, Lutfi Haziri dhe Armend Zemaj.
Ndërkaq, nga Aleanca, kryetari i saj Ardian Gjini ka arritur në rreth 18 mijë vota. Nga këto kuti të numëruara deri më tash, ai ka arritur të marrë 17 mijë e 510 vota. I dyti është Ramush Haradinaj me 15 mijë e 723 vota. Dhjetëshja e Aleancës aktualisht përbëhet nga këta emra: Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Burim Ramadani, Time Kadrijaj, Agim Çeku, Arbër Tolaj dhe Albana Bytyçi.
Për më shumë rreth numërimit të votave të kandidatëve, për të përcjellë në kohë reale përditësimin e të dhënave, klikoni KËTU.











