Gjini: Me Kurtin në qeveri, Kosova do të vazhdojë të blejë rrymë prej sekserëve të Serbisë

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se nëse Albin Kurti vazhdon të qeverisë, vendi do të vazhdojë të blejë rrymë përmes sekserëve të Serbisë.
Në Rubikon të Klan Kosova, duke u ndaluar te ideja e kryeministrit në detyrë për gazifikimin e qymyrit, Gjini tha se kjo na kushton më shumë sesa me ble gazin.
“Më lirë është me ble gaz se me prodhu vet, mirëpo për shkak të konceptit auro-arkik, që ka ekzistuar në vendet komuniste (autoarkia është një sistem politik ku ti gjithçka bën vet, dmth ti bën Zastava e Lada vetëm që mos me Mercedes, pavarësisht që është më e keqe), pra, për shkak të autoarkisë është prodhuar gaz në Kosovë, por ka qenë krejtësisht jorentabil. Dhe tash me provu me prodhu ka me qenë krejtësisht jorentabil. Ka me qenë i konceptit të traktorit në Shqipërisë, që u ka kushtuar më shtrenjtë sesa me ble një Volvo”.
“Edhe nëse ndodh gazifikimi i qymyrit, do të kushtojë më shtrenjtë se të blejmë gaz”, deklaroi Gjini.
Sipas tij, gazifikimi i qymyrit prodhon fenol, që është acid i dëmshëm për natyrën dhe njerëzit.
Për më tepër, kryetari i Aleancës tha se Kurti e ka përjashtuar edhe gazin amerikan e edhe termocentralin e ri.
“Pra, nëse ky qeverisë, Kosova edhe 10 vjet ka me ble energji elektrike prej Serbisë përmes sekserëve të vet, që e rrjepën qytetarin e Kosovës. Janë duke na rrjep me energji sekserët e tij, dhe kjo mund të jetë arsyeja se pse ky nuk do as termocentral e as gaz amerikan”, u shpreh kryetari i Aleancës.











