I dënuari me 5 vjet burg në Shqipëri transferohet në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka transferuar një të dënuar nga Shqipëria në Kosovë.
Sipas njoftimit, transferimi i tij është bërë sot përmes pikës kufitare në Morinë.
“Ky shtetas ishte dënuar në shtetin e Shqipërisë me pesë vjet burgim për veprën penale “trafikim i armëve dhe municionit””, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se i njëjti pas transferimit i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, pasi që një pjesë të dënimit e kishte vuajtur në Shqipëri.
Ky transferim, sipas njoftimit, u realizua bazuar në ligjet në fuqi, marrëveshjet dypalëshe dhe bashkëpunimin e ngushtë mes institucioneve të R. Kosovës dhe atyre shqiptare.
“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.”, thuhet në njoftim.











