“880 milionë euro në pritje”, BE: Kosova të përshpejtojë funksionalizimin e institucioneve

“880 milionë euro në pritje”, BE: Kosova të përshpejtojë funksionalizimin e institucioneve

Eva Palatova, ushtruese e detyrës së shefes së zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se 880 milionë euro janë në dispozicion për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, por theksoi nevojën për përshpejtim të reformave dhe funksionalizim të institucioneve.


“Të gjithë pajtohemi se zhvillimi i një sektori privat të fuqishëm në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për zhvillimin socio-ekonomik dhe integrimin rajonal. Po ashtu pajtohemi se NVM-të dhe sipërmarrësit janë shtytës kyç të rritjes gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, krijimit të vendeve të punës, zhvillimit të aftësive dhe inovacionit. Kjo është arsyeja pse diskutimi i sotëm i nivelit të lartë mbi politikat që mund të forcojnë më tej konkurrueshmërinë dhe produktivitetin e NVM-ve dhe të krijojnë mjedise më miqësore për bizneset e vogla dhe të mesme ka kaq shumë rëndësi”, tha ajo.

“Në kuadër të Planit të Rritjes që e përmenda më herët, 880 milionë euro gjatë tre viteve janë të gatshme të investohen në Kosovë në këmbim të reformave. Kosova ka paraqitur një agjendë ambicioze reformash në fushën e zhvillimit të sektorit privat dhe mjedisit biznesor. Kjo fushë e agjendës së reformave përfshin shtatë reforma kryesore dhe 26 hapa që synojnë promovimin e investimeve dhe eksporteve, një kornizë rregullative më të thjeshtuar dhe efektive dhe, në fund, nxitjen e inovacionit dhe rritjes së qëndrueshme gjithëpërfshirëse”, tha ajo.

Ajo shtoi se tani nevojitet përshpejtim i reformave dhe funksionalizim i institucioneve për të përfituar nga potenciali i Planit të Rritjes.


“Ajo që duhet të vijë tani është një përshpejtim i konsiderueshëm i ritmit të reformave. Agjenda e reformave është miratuar nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2024. Tani jemi në verën e vitit 2026 dhe po shohim skadimin e periudhës së parë të tolerancës, ku për herë të parë do të mund të masim formalisht se çfarë ka arritur Kosova gjatë periudhës së parë. Prandaj shpresojmë shumë që institucionet politike të Kosovës së shpejti do të bëhen plotësisht funksionale në mënyrë që Kosova të përfitojë plotësisht nga ky potencial”, tha ajo.

Kryetarja e Divizionit të Evropës Juglindore të OECD-së, Marzena Kisielewska, tha se vlerësimi i OECD-së për NVM-të bazohet në standardet evropiane dhe synon afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.

“Por ky vlerësim specifik i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) është më evropian se çdo tjetër, sepse bazohet në Aktin e Biznesit të Vogël për Evropën. Kështu që ne në OECD jemi përpjekur ta përkthejmë një politikë shumë të avancuar evropiane në një vlerësim dhe t’i kombinojmë standardet e BE-së dhe standardet e OECD-së në një të vetme. Pra, kjo fuqi transformuese e vlerësimit në njëfarë mënyre ju afron me të dyja organizatat”, tha ajo.

Kisielewska tha se OECD ka ndryshuar metodologjinë e vlerësimit për të reflektuar më mirë reformat dhe ndryshimet reale në ekonomitë e rajonit.

“Natyrisht, gjatë këtyre 20 viteve, politika për NVM-të ka evoluar. Çdo herë keni parë se ne në njëfarë mënyre kemi ndryshuar qasjen tonë, metodologjinë tonë dhe gjithashtu kemi ngritur pak më lart standardin e progresit tuaj. Këtë herë qasja është disi revolucionare, sepse në vend të një qasjeje lineare kemi aplikuar grupimet për të treguar më mirë dhe për të reflektuar më mirë ndryshimet reale që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve dhe shumë reformave që keni zbatuar në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.

Ajo tha se në raport është përfshirë edhe dimensioni i tranzicionit digjital dhe atij të gjelbër të NVM-ve.

“Kemi gjithashtu një dimension të ri, për të reflektuar ndryshimet e kohës, që është tranzicioni digjital i NVM-ve, dhe gjithashtu kemi shqyrtuar në mënyrë shumë më të gjerë qëndrueshmërinë dhe tranzicionin e gjelbër të NVM-ve në vendin tuaj. Ajo që do të thoja se është tipari kyç i gjithë këtij procesi, tema horizontale, është qëndrueshmëria e NVM-ve”, tha ajo.

Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, tha se dokumenti paraqet një bazë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe sektorit privat.

“Sot jemi mbledhur për të lansuar një dokument shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe për të reflektuar mbi progresin dhe sfidat prioritetet tona në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si shtyllë kryesore e ekonomisë së vendit tonë”, tha ai.

Mehmeti tha se OECD ka luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen e reformave ekonomike dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes në rajon.

“OECD luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e qeverive për adresimin e sfidave ekonomike, sociale dhe zhvillimore, duke promovuar politikat e bazuara në standarde ndërkombëtare, praktikat e mira dhe bashkëpunim më të mirë rajonal. Përmes programit rajonal për Evropën Juglindore, OECD ka qenë një partner i rëndësishëm për vendet e rajonit në avancimin e reformave ekonomike, përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe forcimin e konkurrueshmërisë. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit vlerëson lart këtë bashkëpunim dhe mbetet e përkushtuar në harmonizimin e politikave të saj me standardet e Bashkimit Evropian dhe standardet e OECD-së”, tha ai.

Ai shtoi se ministria synon të ndërtojë një ekonomi më konkurruese dhe më të qëndrueshme përmes politikave mbështetëse për bizneset.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka një rol kyç në hartimin dhe zbatimin e politikave që mbështesin zhvillimin e sektorit privat, fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, avancimin e inovacionit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për biznes. Përmes politikave tona dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë synojmë të ndërtojmë një ekonomi me qëndrueshmëri, inovacion dhe rezistencë ndaj sfidave”, tha ai.

Të ngjashme
Trepça largon përkohësisht nga puna pesë punëtorë, dyshohen se u paguan për vikend pa qenë në vendin e punës

Trepça largon përkohësisht nga puna pesë punëtorë, dyshohen se u paguan për vikend pa qenë në vendin e punës

Gati 25% e votave të numëruara: Këta janë 10 kandidatët e LDK-së më pak të votuar

Gati 25% e votave të numëruara: Këta janë 10 kandidatët e LDK-së më pak të votuar

Kina realizon transplantin e parë në botë të mëlçisë dhe veshkave, nga derri te njeriu

Kina realizon transplantin e parë në botë të mëlçisë dhe veshkave, nga derri te njeriu

Mori vetëm 42 vota deri tani: Kjo është kandidatja e AAK me më së paku vota

Mori vetëm 42 vota deri tani: Kjo është kandidatja e AAK me më së paku vota

Këta janë 10 kandidatët e PDK-së më pak të votuar

Këta janë 10 kandidatët e PDK-së më pak të votuar

Lea Ypi, Zvërneci dhe tundimi i vjetër për t’i dhënë leksione botës nga Shqipëria

Lea Ypi, Zvërneci dhe tundimi i vjetër për t’i dhënë leksione botës nga Shqipëria

Këta janë 10 kandidatët e VV-së më pak të votuar

Këta janë 10 kandidatët e VV-së më pak të votuar

20% e vota të numëruara deri tani: Të dënuarit dhe të akuzuarit e VV-së nga Gjykata mbesin gati në fund të listës

20% e vota të numëruara deri tani: Të dënuarit dhe të akuzuarit e VV-së nga Gjykata mbesin gati në fund të listës

Prishtina bëhet qendër botërore e debatit për Gjykatën Speciale, emra të mëdhenj nga Geoffrey Nice te Tim Judah zbarkojnë në Kosovë

Prishtina bëhet qendër botërore e debatit për Gjykatën Speciale, emra të mëdhenj nga Geoffrey Nice te Tim Judah zbarkojnë në Kosovë

Rreth 21 % e votave të numëruar, këto janë 10-shet e para të partive politike

Rreth 21 % e votave të numëruar, këto janë 10-shet e para të partive politike

Bashkëvendasit e 'ndëshkojnë' Fatos Gecin: Deri tani ka marr vetëm 62 vota në Skenderaj

Bashkëvendasit e 'ndëshkojnë' Fatos Gecin: Deri tani ka marr vetëm 62 vota në Skenderaj

Bajrami reagon pas rezultateve preliminare: Mosdalja e qytetarëve në votim thirrje për reflektim, diku ia kemi huqur

Bajrami reagon pas rezultateve preliminare: Mosdalja e qytetarëve në votim thirrje për reflektim, diku ia kemi huqur

0:000:00