Spektakël nga Leo Messi me shokë në fitoren ndaj Clermont
PSG tregoi sërish se është skuadra për t’u mposhtur në Francë, pasi e nisi sezonin me një triumf me goleadë 0-5 në transfertën ndaj Clermont.
Në mungesë të Mbappesë së dëmtuar, trajneri Galtier përdori rreshtimin 3-4-3, me Messin, Neymar dhe Sarabian në repartin e sulmit.
Kryeqytetasit dominuan totalisht dhe që në minutën e 9’ Messi asistoi për Neymar, i cili nuk e pati të vështirë të dërgojë topin në rrjetë.
Në të 26-ën, ishte Neymar që asistoi për Hakimin, që dërgoi shifrat në 2-0, ndërsa në të 38-ën braziliani asistoi për Marquinhos, i cili shënoi edhe golin e tretë.
Në pjesën e dytë, në skenë u ngjit Lionel Messi, që në të 80-ën shënoi golin e katërt, ndërsa në të 86-ën të pestin për PSG-në, me një “biçikletë” të bukur që mori edhe duartrokitjet e tifozëve vendas.
Nis kështu nën shenjën e Neymar dhe Messit, sezoni i ri për PSG-në, me brazilianin që shënoi një gol dhe asistoi tre të tjerë, ndërsa argjentinasi dha një asist dhe dërgoi dy herë topin në rrjetë.