Specialja i jep paralajmërimin e fundit Haradinajt
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, e ka paralajmëruar Nasim Haradinajn që t’iu përmbahet kushteve të përcaktuara mbi vendimin e dënimit, duke thënë se Haradinaj ka zhvilluar intervista në media “pa kërkuar paraprakisht leje”.
Në komunikatën për media, Trendafilova tha se i ka dhënë paralajmërimin e fundit Haradinajt për këtë, duke shtuar se “çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit”.
“Kryetarja shpjegoi se megjithëse Vendimi mund të revokohet ose modifikohet menjëherë mbi bazën e shkeljeve, ajo vendosi që zotit Haradinaj t’i jepte edhe një paralajmërim të fundit, dhe e bëri të qartë se çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit të DHSK-së për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit”, thuhet në komunikatë.
Nasim Haradinaj ishte dënuar me 4 vjet e tre muaj burgim nga Gjykata Speciale në Hagë për frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ai ishte liruar me kusht në dhjetorin e 2023-s, pasi kishte vuajtur dy të tretën e dënimit të tij.