Specialja dhe taksinomia e vdekjes: anonimat, harresë, flijim e empirizim

Specialja dhe taksinomia e vdekjes: anonimat, harresë, flijim e empirizim

Anonimati
“Kosovo Crissis”
“Kosovo Conflict”
“KLA rebels”
“Trupat e viktimave priten të barten në morgun e Rahovecit/Prishtinës”
“Personat e zhdukur”
“Të gjithëve na mungojnë”
“Eskumimi i mbetjeve mortore” etj.

Iu ktheu në mendje 98-n, dhe lajmet ndërkombëtare ky tog-fjalësh? Besoj se po. E megjithatë besoj edhe se për shumicën nga ne, tërë ky vokabular kuptimësimi që mëton një përdredhim dhe tjetërsim të qëllimshëm të relacionit të njeriut me vdekjen, tërë ky arsenal retushues fjalësh, tërë kjo hedhje-shikimi prej hetuesi, a patologu ndaj diçkaje në të cilën vetë Perëndimi ishte i përfshirë, por që tani përdorë alibinë e deetnizimit, ka kaluar pa iu vënë shumë vesh. E teksa nuk i është vënë shumë vesh sot ndodhemi në hullinë e madhe të mospasjes qëndrim konkret ndaj Speciales. Kjo ngase teksa më në fund në mars të 99-s kishim parë një ndërhyrje ndërkombëtare, apo me fjalë tjera dorën penalizuese të Perendimit ndaj Beogradit, nuk çamë kokën për gjuhën relativuese të po atij Perëndimi. Thjesht na interesonin bombat e NATO-s, jo rrotullat e NATO-s. E fjalët më sipër, janë dora vetë – aparati hermeneutik me të cilin Perëndimi i përqasej/t viktimave të luftës së vitit 1998-1999 që dërmueshëm ishin/janë shqiptare.

Si një ligjësori e pashkruar, Perëndimi luftën e Kosovës e quajti konflikt, si ultima-prima arsyetim të veprimit të vetë ndërhyrës: Perendimi kishte ndërhyrë për të zgjidhur konflikt, dhe jo për të luftuar palë a shtete, e aq më pak për ta rrënuar ligjin ndërkombëtar. Po luftohej Millosheviqi, e jo Serbia – ambasada kineze qe bombarduar gabimisht e margaritarë të ngjashëm. E qartë, gjuhës së drejtësisë se deklamuar gjithmonë i duhet mpakja e zhurmës së tankseve, shpërthimit të bombave apo rrapëllimit të qizmeve që buçisin frontet. I duhet një gjuhë sa ma relativuese, aq më tepër kur prosekutori është ndodhur i përfshirë edhe vetë, siç qe në rastin tonë. Drejtësia kërkon ftohtësi prej akullnaje. Deleuze jo rastësisht specifikon bukur faktin se Kanti për mendjen/arsyen përzgjodhi një term nga filozofia e së drejtës: gjykimin. Gjyqi-drejtësia. Dhe anasjelltas. Njeriu-gjyqtar. Por në rastin tonë, gjyqtari është i jashtëm, që disi indirekt mëton të na thotë: s’kemi ç’tu bëjmë anonimati është i domosdoshëm, meqë ushtarakisht e politikisht iu ndihmuan, tani ‘drejtësisht’ duhet ta gjejmë një mes. Krejt kjo e plotësuar edhe nga deficiti/dembelia ynë/jonë ta ngremë zërin në rrafshin e drejtësisë (pse kush ta bëjë, Enver Hasani e Dastid Pallaska?)

Harresa e qëllimshme e dalur nga poshtërimi
“Isha profesor, dikur zotëri, fjalën ia ndërprenë tre grushta n’mushkni”/”Deri kur kështu, kështu nuk muj me duru, deri kur kështu, juve me ju duru, deri kur kështu me gjak bukën me fitu, për pare me luftu (refrene nga këngë të Adelina Ismailit gjatë të 90’ave me të vallëzonim në realitetin sado-mazokist)
“Na rrehën policia, po mos i kallxo nanës”
“Alllahile kallxo qysh iu rrehën/allahile kallxo qysh iu ikt’ milicisë. Hajt hajt t’keshim pak se s’po rrihet (tregime mazokiste që përcilleshin me gajasje e humor të zi)
“Boll tash mo, boll i përmene ato sene”.

Këto janë grahma të dala nga etnopsikologjia e një populli të përçudnuar që gjatë të 90-ave zyrtarisht nuk ishte në luftë, por në(n) poshtërim sistematik. Poshtërimi trashej edhe nga gjoja-përfaqësimi që bënte paria politike e kohës, e që kishte përvetësuar njëfarë stoicizmi neokristian të durimtarisë (jo pse ishin aq të ditur sa ta dinin se kjo i binte ashtu, por pavetëdijshëm përçonin mu kah ajo formë). Poshtërimit duhej t’i duroje. Sa më qyqar që ishe aq më i çmuar bëheshe. Sa më i rrahur që ishe, aq më shumë të ngritej dinjiteti e respekti. Revolta mallkohej kudo. Kryengritja e UÇK-së u damkos nga mbi 90% e popullit. “Po na e bojnë sherrin” – thuhej kahmos. Nuk kërkohej çlirim, por shpëtim. Edhe kërkim-ndihma nga jashtë kishte bazë në frikë-përbuzje. Duhej ta dëshmonim se s’ishim myslimanë, s’ishim jugosllavë, s’ishim enveristë dhe se s’duam luftë. E një popull që ka përjetuar kësi lloj (vetë)poshtërimii, s’do mend se mezi s’ka pritur që paslufte fshehjen e poshtërimit personal ta kthejë në harresë gati totale të ndodhisë kolektive – luftës. Shto këtu edhe faktin që kishim të bëjmë me një popull gjysëm-fisnor e provincial (e ku individi s’shihet si qenësor por si prezencë e situatë) rebusi zgjidhet pothuajse krejtësisht. Aq më shumë kur jo pak pësuesve paslufta u siguroi jetë që kurrë më pare se kishin imagjinuar.

Flijimi
“Ai është gjallë”
“Ata ranë për të mos vdekur kurrë”
“Epopeja e Jasharajve”
“…nuk kursyen as më të shtrenjtën e tyre – jetën, që ne sot të jetojmë të lirë”
“janë martirë të lirisë”

Flijimi është akt kryekput fetar, thotë Bataille. Nuk do të pajtohesha se kjo vlen krejtësisht në rastin tonë meqë shqiptari më shumë se fe, njeh supersticion e animizëm, por po e marrim kushtimisht të mirëqenë. Zaten, fjalët më lart janë në mos vetë fe, ateherë shumë afër fesë. Për një pjesë të mirë të këtij populli të rënët në luftën e fundit u flijuan. Ata ishin dhe vazhdojnë të jenë një referencë së paku e pjesës më të madhe të skenës tone politike sot (VV-së, PDK-së, AAK-së e NISMA-s). Por ajo çfarë ngjau në këtë pasluftë me referencën në fjalë është rast interesant studimi: të rënët përdoreshin më shumë për konsum të brendshëm (mbase si shkarkim dhe kundërpeshë ndaj etnopsikologjisë defetiste të dalë LDK-izmit) dhe atë duke i mëshuar vetëm vuajtjeve në rajone të caktuara (kryesisht Drenicë e Dukagjin), kurse nuk kishte as edhe një gatishmëri të vetme të ngulmimit në rrafshin ndëkombëtar, respektivisht në dalzotje faktit se pala viktimë nga lufta e fundit janë përfundimisht shqiptarët. Gjuha e poesisit mitoman që përlavdonte flijimin, jo vetëm që s’dëshmoi zellin e njejtë edhe të luftës për drejtësi, por për më shumë seleksionte te vetë vuajtjet. Kush nga gjeneratat e reja e di sot p.sh. se në Mitrovicë paramiltarët serbë kanë bartur skalpet flokë grashë shqiptare në rripa, apo se Masakra e Studimes së Vushtrrisë e kalon trefishin Reqakun?

Empirizimi
“nga shkurti i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000 u vranë xxxxx shqiptarë, yyyyyy serbë…”
“Zotan Vukotiq, akuzohet se në maj të vitit 1999 vrau tre shqiptarë”

Nëntëmbëdhjetë vite pas, empirizimi i viktimave të luftës tek ne është konsekuencë e mospasjes së juristëve të denjë dhe patriotë të vendit, si dhe anonimizimit që vegjetoi përqasja funksionaliste dhe instrumentaliste ndërkombëtare kundruall viktimës shqiptare, si viktimë më e madhe e luftës. Shqiptari nuk është viktima më e madhe, ai u vra në konflikt njësoj si të tjerët. Anonimizimi retushoi viktimën shqiptare, emipirizimi i Speciales, pritet t’i numrojë ato serbe. Harresa ia premtoi një ardhmëri optimiste, kurse diskursi mitoman i flijimit e frenon në këtë synim, që në instancë të fundit do të mund të ishte shpresëdhënës. Dhe kurrgjë s’ndikon që të dilet nga ky qark vicioz. E sidoqoftë pedagogjia e anonimizimit dhe empirizimit është hipokrite për një arsye të thjeshtë: në njërën anë anonimizon përkatësitë, në anën tjetër ua nxjerr etninë dorasve të rasteve të caktuara. Përmes një induksionizmi ofendues na e shanë inteligjencën, teksa vetëm sa s’na thotë se duhet të presim edhe tri jetë për t’u gjendur NJË NGA NJË dorasit e krejt krimeve nga ‘konflikti!’ Në fakt nga kjo edhe u krijua klima e të lexuarit të situatës me dioptri të atillë thua se Serbia s’ka qenë agresore në Kosovë, dhe as që e ka suprimuar autonominë e saj më 1989 (thjesht nëse gjithçka reduktohet në 98-n /99-n përkatësisht në konflikt atëherë logjikshëm shtrohet pyetja, çka ka qenë 97-a në këtë vend. Paqe?!). Krejt çfarë paska ndodhur qenka që GJATË KONFLIKTIT Vukotiqi në filan datë, filanë ditë ka vrarë shqiptarë. Siç i ka vrarë edhe Hasani 6 serbë, e që pritet ta gjejmë. Interpretim sikur në raste qërim-hesapesh mes bandave e jo si në rastin e një lufte!

Sabotazhi ndaj krejt periudhës 1989-1998 ngjan pak a shumë sikurse ta marrësh pikënisje të agresionit gjerman mbi Çekosllovakinë 39-n, jo 38-n. Apo pikënisje të agresionit italian ndaj Etiopisë ta marrësh nisjen formale të Luftës së Dytë Botërore, e jo vitin 1936. Anonimizimi dhe empirizimi kanë gjetur terren pjellor tek ne, prej nga edhe lëvrimi reduksionist. Shto këtu që edhe njëfar prirjeje për realizmin naiv, mund të të bëjë korife drejtësie. Deri më tash po u ecën mbarë: gjejnë ca operandë anglishtfolës, apo/edhe përjetues real të luftës, që i thërrasin në diçka si TED-x (ironi në vete e kapitalizmit ka qenë ftesa bërë Saranda Bogujevcit aty a diku tjetër), i nderojnë me ndonjë çmim, dhe nga kjo klimë ushqyese krijohet klima e ‘mirëkuptimit dhe bashkëpunimit’. P.sh. në verën e 99-s, brenda buletinit të njejtë të lajmeve, dëgjoja se si Kandiqi reagonte për viktimat shqiptare, kurse Surroi për viktimat serbe. Shumë fisnike, po të mos qarkullonte dollari lumë mbas. Më pas me të tjerë të dashuruar në një farë faktomanie dhe pozitivizmi primitiv ku nuk ekzistojnë njerëz, por vetëm fakte, ngasin punët. Detyrim-kërkim falja e Serbisë zëvendësohet nga një falje heshtake, dhe disi si e nënkuptuar e viktimës. Diskursi mitoman i flijimit, që i shërben konsumit të brendshëm bën një martesë të çuditshme me drejtësinë anonimizuese: ose i lidh korrupsioni (Ivanoviq-Gjykata, Limaj-EULEX etj.) ose veprimi paralel dhe i papenguar: klika e UÇK-se nuk bën ndonjë poterë të madhe për gjithçka përjetuam, kurse këta nuk e pengojnë ata në ekspandimin e saj me mitomani të mërzitshme. E në fund të ditës, nga kjo lloj taksonomie e vdekjes, vetëm rezultat drejtësie nuk shohim as ne vdekatarët e as shpirti i viktimave. Anonimat, harresë, mitomani e empirizim, sat ë duash. Me bollëk.

 

Shpërndaje në: