Spanjë-Kosovë: Cila është vlera në treg e dy kombëtareve?
Kombëtarja e Kosovës në futboll luan sot në Sevillë kundër Kombëtares së Spanjës në kuadër të Kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.
Kosova e humbi ndeshjen e parë kualifikuese të luajtur në “Fadil Vokrri” me rezultat 0-3 nga kombëtarja e Suedisë.
Spanja ndërkohë, në ndeshjen e parë në shtëpi barazoi me Greqinë ndërsa në të dytën fitoi me shumë vështirësi ndaj Gjeorgjisë në Tbilisi.
Por, cila është vlera e këtyre dy kombëtareve?
Sipas Transfermarkt, vlera e përgjithshme e ekipit kombëtar të Kosovës është 77 milionë e 200 mijë euro.
Në tjetrën anë, Kombëtarja e Spanjës – që është një herë kampione botërore dhe tri herë kampione evropiane – vlen 855 milionë euro, raporton Periskopi.
A do të mund të hynte në Kombëtaren e Spanjës ndonjë lojtar i Kosovës?
Për të marrë përgjigje në një pyetje të tillë duhet shikuar vlerën e lojtarëve të ekipit spanjoll.
Tre lojtarët më të shtrenjtë të Kosovës janë Vedat Muriqi [14 milionë], Milot Rashica [12 milionë] dhe Amir Rrahmani [12 milionë].
Ndërkohë, te Spanja lojtarët më të shtrenjtë janë Marcos Llorente, Mikel Oyarzabal, Rodri dhe Pedri me vlerën e secilit që ka shkuar në 70 milionë.
Ndërkohë, lojtarët më të lirë të Spanjës janë Robert Sanchez që vlen 5 milionë, Sergio Busquets që vlen 10, Sergio Ramos që vlen 14 dhe Pedro Porro që vlen 17 milionë.
Në bazë edhe të pozitave në fushë, është e vështirë që ndonjëri prej treshes së lartpërmendur të futej në ekipin kombëtar të Spanjës, qoftë edhe si rezervistë.
Por, ka një derë hapur. Spanja ka probleme serioze në fazën e qendrës së sulmit. Aty është Alvaro Morata i Juventusit dhe Gerard Moreno i Villarrealit, por po të ishte spanjoll do të mund të merrte ftesë – ndoshta – edhe Vedat Muriqi.