Spanja sinjale të frikshme për Kosovën – demolon 4:0 Gjeorgjinë
Spanja, kundërshtarja e radhës për Kosovën, ka shënuar një fitore të thellë sonte.
Në kohën kur Kosova luante 1:1 me Greqinë, Spanja shënoi një fitore 4:0 ndaj Gjeorgjisë, shkruan Periskopi.
Spanjollët nuk kishin asnjë telashe ndaj Gjeorgjisë dhe fatin e takimit e vendosën qysh në pjesën e parë, me tri gola të shënuara.
Ishte Jose Gaya që hapi serinë e golave në minutën e 14’, kurse 10 minuta pas tij shënoi Carlos Soler.
Ferran Torres çoi shifrat në 3:0, katër minuta para fundit të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Spanja administroi mirë takimin, por përveç kësaj shënoi edhe një herë.
Ishte Pablo Sarabia ai që shënoi për 4:0, në minutën e 63’, duke vulosur fatin e takimit.
Spanja tashmë numëron 10 pikë si lidere e grupit, por me dy ndeshje më shumë sesa Suedia që ka nëntë pikë. Gjeorgjia mbetet me 1 pikë në pozitën e fundit.
Kosova luan kundër Spanjës të mërkurën, në kuadër të grupit B. /Periskopi/