SPAK sekuestron mbi 3 milionë euro pasuri të ish-drejtuesit të policisë

SPAK sekuestron mbi 3 milionë euro pasuri të ish-drejtuesit të policisë

Gjykata e Posaçme kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka sekuestruar pronat e ish-drejtuesit të policisë, Oltian Bistri, të arrestuar gjatë operacionit “Metamorfoza”.

Përmes një komunikate për mediat SPAK bën me dije se nga hetimet ka rezultuar se pasuritë e vëna nga ish-shefi i Operacionales dhe familjarët e tij, janë të pajustifikueshme nga të ardhurat e tyre.

Nën sekuestro janë vendosur 22 dyqane, 10 apartamente, 1 truall, 1 vilë dhe një automjet.

Vlera totale e blerjes së pasurive të sekuestruara sipas çmimeve të përcaktuara në kontratat noteriale është 3.091.519 Euro.

Në vijim, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.19, datë 03.05.2024, ka vendosur sekuestrimin e pasurive në pronësi të shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij, si më poshtë:

  • 18 Njësi (dyqane) + 1 Apartament, të ndodhura në rrugën “Todi Shkurti”, Tiranë;
  • Apartament me sipërfaqe totale prej 400 m2, kati i 6 (gjashtë), ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
  • Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 200 m2, Zona Kadastrale 8270, ndodhur në “Rrugën e Kosovarëve”, Tiranë;
  • Apartament me sipërfaqe 66.5 m2,  ndodhur në kompleksin “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
  • Apartament me nr. 18/C, kati i shtatë teknik/8 ndërtim, me sipërfaqe 73.16 m2, i ndodhur në godinën 1, në “Kompleksin Delijorgji”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
  • Apartament me sipërfaqe 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
  • Njësi (dyqan) me sipërfaqe 125 m2, në katin e parë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
  • Apartament me sipërfaqe 138.3 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;
  • Garazh me sipërfaqe 87.8 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;
  • Apartamenti me sipërfaqe 100.6 m2, në katin e dhjetë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
  • Njësi (dyqan) me sipërfaqe ndërtimore 72 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
  • Vila A14, në rezidencën “Green Valley”, Tiranë;
  • Apartament me nr. 3, kati i katërt, me sipërfaqe 58.5 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;
  • Apartament me nr. 9, kati i dytë, me sipërfaqe 58.9 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;
  • Pasuri e llojit njësi (dyqan), me sipërfaqe ndërtimore 110 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
  • Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe totale 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
  • Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe totale 95 m2, në katin e parë,  ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
  • Automjet i markës “Land Rover” model “Range Rover Sport”, vit prodhimi 2012;

Bistri është një ish-oficer i rëndësishëm i Policisë së Shtetit, pasi në vitet e fundit ka drejtuar disa komisariate dhe drejtori vendore policore.

Vetëm 4 ditë para se të arrestohej në kuadër të operacionit Metamorfoza, ai u shkarkua nga detyra e shefit të Operacionales, dhe u emërua specialist i thjeshtë në Drejtorinë e Krimeve.

Në vjeshtën e vitit 2021 Oltion Bistri ka qenë më detyrë në Policisë e Lezhës, ndërsa më herët ka drejtuar edhe Policisë e Durrësit. Po ashtu Oltion Bistri ka qenë shef i Komisariatit nr.2 në Tiranë.

Bistri është nën hetim për “Shpërdorim detyre” pas zbërthimit të aplikacionit SKY ECC.

Kujtojmë se në kuadër të operacionit “Metamorfoza” u godit një grup i strukturuar kriminal që akuzohet veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”./euronews.al

Shpërndaje në: