SPAK kërkon 19 vite burg për Talo Çelën

SPAK kërkon 19 vite burg për Talo Çelën

Prokuroria e Posaçme SPAK ka kërkuar 19 vite burg për Talo Çelën, një prej personave më të kërkuar në Shqipëri, i cili akuzohet për vjedhjen e 4.6 milionë eurove në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Një ngjarje kjo, e ndodhur në vitin 2019.

Për grabitjen spektakolare të 4.6 milionë euro në prill të vitit 2019, Gjykata e Posaçme ka dënuar në Tetor 2023 me 122 vite burgim për 7 të pandehurit e grupit kriminal.

Numri dy i bandës, Klement Çala do të qëndrojë pas hekurave për 20 vite, ndërsa për gjashtë të tjerët të arrestuar për grabitjen: Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, trupa gjykuese dha nga 17 vite burg për secilin.

Dënimet janë më të ulëta se ato të pretenduara nga Prokuroria e Posaçme, e cila për Klement Çalën kërkoi 24 vite burg, ndërsa për gjashtë të pandehurit e tjerë nga 19 vite.

Çela ka qenë prej vitesh ndër emrat më të lakuar në botën e krimit në vend.

Në aktakuzën e SPAK, ai përmendet për nëntë krime, që prej vrasjeve, deri tek vjedhjet.

Dëshmia e ish-mikut të Talos, Nuredin Dumanit, pasi ky i fundit u kap në flagrancë në Fier, pikërisht pas një atentati të kryer në Elbasan ndaj Çelës (siç mendohet), e ka bërë figurën e më të kërkuarit nga SPAK të vihet në gojën e në titujt e të gjithë mediave.

Një ndër krimet e para për të cilat ai përmendet, është vrasja me paramendim e Fatmira Habili (Dedaj) në 14 shtator 2013.

Këtë të fundit, Çela (sipas deklaratës së Dumanit), e ka vrarë duke e kapur në garazhin e shtëpisë së saj. Më pas, ai e ka rrahur e më tej e ka prerë në qafë me një thikë. Gjithçka, për t’u bërë të dukej si një tentativë grabitjeje e shkuar në fatalitet.

Një tjetër ngjarje është ajo e vrasjes së shtetasit Andy Zylyfi dhe plagosjes së Ardit Uruçit.

Tjetër vrasje që sipas Dumanit e ka kryer Çela, këtë herë për arsye hakmarrjeje, është ajo e Arben Çetës, më 14 nëntor 2013.

Më pas, vijohet me disa vjedhje.

E para ka të bëjë me një vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasit Xhemal Liçi, në 19 dhjetor 2012.

Tjetër ngjarje është ajo e vjedhjes në dëm të Hamit Haxhisë, kryer më 11 shkurt 2013.

Katër vjedhje të tjera, të shtrira në kohë, i atribuohen po Talo Çelës, nga dëshmia e Nuredin Dumanit.

Kështu, figura e ndërtuar rreth tij është kthyer në një mit të vërtetë në botën e krimit.

Shpërndaje në: