Spahiu eskalon, bën deklaratë skandaloze: Serbët janë më të qytetëruar, shqiptarët janë më barbarë
Profesori Nexhmedin Spahiu ka konstatuar se serbët janë më të qytetëruar sesa shqiptarët, të cilët i ka konsideruar më primitivë dhe barbarë.
Në “Konfront”, Spahiu ka thënë se serbët i binden ligjit e rregullave, ndërsa shqiptarët janë të panënshtruar.
“Serbët janë më të qytetëruar se ne, ne jemi më primitivë, më barbarë si popull. Ata e respektojnë ligjin e rregullin. Ata në momentin që e kanë pa që nuk është aty policia e Serbisë, por policia e Kosovës, ata i binden atij urdhri. Na as nuk dimë me përdor pushtetin kur e kemi, as nuk i nënshtrohemi pushtetit. Qe 1 vjet, a më shumë vrasje bëhen në qytetet e tjera të Kosovës apo në veri të Kosovës?”, ka thënë ai.
Duke folur më pas, pasi deklarata u bë virale, Spahiu ka dhënë një tjetër shpjegim.
“Qytetërimi tregohet duke respektuar ligjin. Kemi shtetin tonë dhe nuk e respektojmë sa duhet. Po e shohim që kur po e marrim fuqinë ne, sikur tash në veri, shtetin tonë po e respektojnë më mirë sesa na vetë. Kjo tregon qytetërim. Le të kuptohet qysh të donë. Shpeshherë ka qysh ata janë më trima. Po të mos ishin më trima e më të mençur se na, s’do të na mbanin 100 vjet nën pushtet. Po të ishim burra më të mirë e më të mençur e më patriotë do të krijonim shtetin para 200 vjetësh. Duke u bërë më të mençur e më trima, tani e kemi shtetin tonë. Na u desh edhe pak fat, por atë që kemi pasur fat s’po dimë ta vlerësojmë”, ka thënë tutje ai.