Sovraniteti që njëmend ka rëndësi
Në të famshmen “trilema politike e ekonomisë botërore,” ekonomisti i Harvardit Dani Rodrik pretendon se integrimi i ekonomisë globale, komb-shtetet, dhe demokracia nuk mund të bashkë-ekzistojnë. E pakta që mund të bëhet është të kombinohen dy prej tyre, por duke lënë menjanë të tretën.
Deri së voni, i ashtuquajturi Konsensusi i Washingtonit, me theksimin që i bën liberalizmit, çrregullimit të tregut dhe privatizimit, e formësoi politikën ekonomike botërore. Ndërsa kriza financiare globale e vitit 2008 po e shkatërronte kredibilitetin e tij, shtetet e G20-ës, shumë shpejt u pajtuan që të shmangnin politikat proteksioniste kundër të cilave, konsunsusi mes tyre qëndroi.
Në ndërkohë, Bashkimi Evropian mbeti (dhe mbetet) i vetmi eksperiment demokratik në një nivel mbikombëtar, që krenohet për ecjen përpara, pavarësisht faktit që shumë defekte e kanë rënduar. Me fjalë të tjera, integrimi ekonomik, i ngulitur në kombshtetet që e përbëjnë BE-në, mbeti ashtu siç ishte, derisa demokracia u bë sekondare ndaj zhvillimeve ndërkombëtare në tregun ekonomik.
Por viti 2016 ishte një pikë kthese, megjithëse ende nuk e dimë se drejt çkaje ndodhi kjo kthesë. “Konsensusi i Bejingut” (Pekinit) ka mbërritur, të cilin disa e shohin si një model alternativ të zhvillimit i cili bazohet në një intervenim më të madh qeveritar. Por ishte vota e Brexitit (dalja e Britanisë nga BE-ja) dhe zgjedhja e Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara që seriozisht e ndikoi lëvizjen për një balans të mirëvendosur mes globalizimit, komb-shteteve, dhe demokracisë.
“Le të rikthejmë kontrollin” ishte sllogani i votuesve të Brexitit, duke shprehur ndjesinë që qartësisht rezononte me mazhorancën e vogël të votuesve britanikë të cilët e mbështesnin daljen nga BE-ja. Ngjashëm, shumë votues të Trumpit ishin të bindur se fuqia e mbledhur e Wall Street, akterët transnacional aty, dhe edhe shtetet e tjera duhej frenuar në mënyrë që “Amerika të bëhej e madhe sërish.”
Nuk do të ishte mirë të shpërfillnim këtë diagnozë, të cilën vetë Rodrik e merr parasysh (të paktën një pjesë të saj), vetëm sepse dikujt nuk i pëlqen ajo që do të çoj përpara Trumpi dhe disa nga ithtarët konservatorë që e votuan Brexitin. Përpjekja e tyre konsiston në pengimin e globalizimit – derisa në të njëjtën kohë duan ruajtjen ose edhe avancimin e aspekteve tjera të Konsensusit të Washingtonit, të tilla si çrregulli financiar – dhe forcimin e demokracisë përmes kombshteteve.
Në paraqitjen e parë para Asamblesë Gjenerale të Kombeve të Bashkuara, Trumpi e dha një fjalim 42 minutësh në të cilin përdori fjalë si “sovraniteti” apo “sovrani” 21 herë – një mesatare prej një herë në çdo dy minuta. Dhe në Evropë, Mbretëria e Bashkuar nuk është i vetmi vend që do të tërhiqet nga bashkësia Neo-Westphaliane: Polonia dhe Hungaria janë poashtu në të njëjtën rrugë. Poashtu edhe lëvizja katalane pro-pavarësisë, e udhëhequr nga disa parti të ndryshme, shumica e të cilave nuk do të ndiheshin rehat nëse do të quheshin “antiglobalizuese”, ndjek një logjikë të ngjashme që rrëshqet në nacionalizëm.
Të gjitha këto forca e mbivlerësojnë kapacitetin e tyre që të dobësojnë ose të shmangin integrimin ekzistues ekonomik, i cili është forcuar në dekadat e fundit. Nëse këto lëvizje nuk ndryshojnë, atëherë parashihet të dobësohet fuqia e kombshteteve ku bëjnë pjesë (ose në shtetet që përpiqen të krijojnë) në procesin e globalizimit. Shkurtimisht, një rritje e sovraniteteve formale mundet paradoksalisht të rezultojë në humbjen praktike të sovraniteteve, e cila është një gjë që vërtetë ka rëndësi.
Merreni përshembull Britaninë: nëse Be-ja vijon të ekzistojë, britanikët nuk kanë çka të thonë, mbi atë se si duhet të jetë tregu i tyre më i rëndësishëm i eksporteve. Sa për Kataloninë, lëvizja pro-pavarësisë dhe pro-sovranitetit, mund të prodhojë një politikë e cila është shumë më pak sovrane dhe në mëshirë të ngjarjeve ndërkombëtare.
Veç një javë pas fjalimit të Trumpit në Kombet e Bashkuara, presidenti francez Emmanuel Macron e shfaqi vizionin e tij në lidhje me të ardhmen e Evropës në një adresim në Sorbonë. Macroni poashtu përmendi fjalën ‘sovranitet’ vazhdimisht, duke e bërë të qartë se ajo formonte bazën e vizionit të tij për evropën. Por, për dallim nga populistët, ai e përkrahte një sovranitet inkluziv dhe efektiv, evropjan në pamje dhe të mbështetur nga dy shtylla kyqe: uniteti dhe demokracia.
Relacionet mes shteteve udhëhiqen nga bashkëpunimi, kompeticioni dhe konfrontimi. Ka pak dyshim se një shkallë konfrontimi do të jetë gjithnjë e pranishme në rrafshin ndërkombëtar. Por Bashkimi Evropjan e ka demonstruar qartë që incidentet mund të reduktohen duke rritur eksponencialisht koston e mundësive të dinamikave konfliktive. Fatkeqësisht, lëvizjet që e kuptojnë sovranitetin përmes koncepteve izolacioniste zakonisht bëhen nacionaliste ekstreme, e i cili nuk promovon hapësirat e përbashkëta që e mundësojnë prosperitetin e shoqërisë ndërkombëtare.
Preferenca e disa shteteve për të izoluar vetveten brenda kufijëve është anakronike dhe vetëshkatërruese, por do të ishte gabim i madh për të tjerët nëse do të reagonin duke e shmangur bashkëpunimin me këto shtete. Shpirti i bashkëpunimit, bashkë me kompeticionin konstruktiv, duhet t’i strukturojë relacionet mes të gjithë akterëve që posedojnë legjitimitet ndërkombëtar. Edhe në shtete që i janë nënshtruar diskurseve reduksioniste, shumica e popullit përkrahë tjetërgjë. I tillë është rasti me 48% të votuesve britanikë që e kundërshtuan Brexitin, dhe ai i 49% të turqve që i thanë “Jo” zgjerimit të pushtetit për presidentin e tyre, nënkuptueshëm duke refuzuar narrativën që e përdorë BE-në si gjë të keqe. Shumica e këtyre votuesve do të zhgënjehej nëse BE-ja do t’iu kthente shpinën.
Vitaliteti i shoqërisë ndërkombëtare varet nga dialogu. Dhe për të shmangur përsëritjen e mangësive të Konsensusit të Washingtonit, të cilat u zbuluan me kaq shumë qartësi më 2016, ky dialog duhet të ndodhë brenda strukturës së sferës publike të përbashkët demokratike. Nëse e kultivojmë këtë sferë të përbashkët publike, duke reduktuar pre-eminencën e kombshteteve, ne do të avanconim hap pas hapi drejt një ane më pak të eksploruar të triadës së përshkruar nga Rodriku: demokracisë globale.
Natyrisht, një demokraci universale do të ishte një objektiv shumë i zorshëm për t’u arrirë (siç potencon vetë Rodriku). Por, me zhvillimet teknologjike dhe shumimet e sinapsave ekonomike dhe kulturore, kjo nuk përbën një mostër. Në këtë kuptim, BE-ja e ka nisur një rrugë të re, një që synon të zgjerojë demokracinë përtej shtrirjes së kombshteteve. Për evropën, ashtu si për vendet e tjera, kjo është një rrugë që ia vlen të ndiqet.
Javier Solana ishte Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikat e Jashtme dhe ato të Sigurisë, Sekretar gjeneral i Nato-s, dhe ministër i jashtëm i Spanjës.