Sot shpallet vendimi për Pjetër Shalën – ZPS-ja kërkon 28 vjet burgim
Sot Gjykata Speciale do të shpallë vendimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte.
Për veprat që i bien në barrë Shalës, si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme, ZPS-ja ka kërkuar që të dënohet me 28 vjet burgim.
Sipas Prokurorisë, Shala ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka arrestuar dhe ka keqtrajtuar të paktën 18 persona, të cilët konsideroheshin kolaboracionistë.
Krimet pretendohet se u kryen midis majit dhe qershorit 1999, ndaj personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.
Ndërkaq Shala u arrestua më 16 mars 2021, ndërsa gjykimi ndaj tij nisi më 21 shkurt 2023.