Sot Shënohet Dita Botërore e Tuberkulozit
Por, pavarësisht se ka më shumë se një shekull që është zbuluar shkaktari dhe shumë dekada që ekzistojnë medikamente efikase për luftimin e saj, përsëri kjo sëmundje vazhdon të marrë miliona jetë njerëzish dhe të infektojë dhjetëra milionë të tjerë. Çdo vit sëmuren rreth 9 milionë njerëz me TB dhe, ndër ta, rreth 1.2 milionë vdesin.
Tuberkulozi është një sëmundje ngjitëse, që zakonisht prek mushkëritë. Por nganjëherë mund të prekë dhe organe të tjera, si trurin, veshkat, kolonën vertebrale apo dhe organe të tjera. Mikrobi i tuberkulozit përhapet nga njeriu i sëmurë me anë të ajrit, kur ai kollitet, teshtin apo edhe qesh.
TB nuk përhapet me anë të duarve, pjatave, lugëve dhe sendeve të tjera. Mund të jesh i infektuar me mikrobet e TB pa qenë i sëmurë me TB. Kjo ndodh kur sistemi mbrojtës i organizmit ndalon mikrobet të zhvillohen, por ato qëndrojnë “të fjetura” për shumë vite.
Njerëzit me TB zakonisht kanë: kollë me gëlbazë, që zgjat më shumë se tri javë. Por mund të kenë dhe shenja të tjera: dobësi të përgjithshme, rënie në peshë, ulje oreksi, ethe të lehta, djersitje veçanërisht natën, dhimbje gjoksi, pështymje gjaku dhe mbajtje fryme.
Tuberkulozi vazhdon të paraqesë problem mjekësor global, para së gjithash në vendet e pazhvilluara dhe në vendet në zhvillim. Sot, një e treta e popullatës në mbarë botën është e infektuar me bacilin e tuberkulozit, gjegjësisht vuan nga tuberkulozi latent, që do të thotë se këta persona janë të infektuar me bakterin e tuberkulozit, por (ende) nuk janë të sëmurë nga kjo sëmundje dhe nuk mund ta përcjellin atë tek të tjerët.
Epidemia e HIV/SIDA në botë ndikoi dukshëm për rritjen e numrit të të sëmurëve nga tuberkulozi. Infeksioni me HIV është faktori më i fuqishëm që mundëson kalimin e infeksionit të tuberkulozit në sëmundje.
Çdo vit, në 24 Mars bota e shënon Ditën e tuberkulozit. Një nga sfidat shëndetësore botërore kryesore janë 9 milion rastet e reja të TB dhe 1.5 milion raste të vdekjes në mbarë botën.
Tre milion njerëz nuk e pranojnë kujdesin për të cilin kanë nevojë. T’i gjejmë ato!
Në maj të vitit 2014 në Takimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, qeveritë e vendeve anëtare ranë dakord që të angazhohen edhe 20 vite të tjera (2016-2035) për ta çrrënjosur epideminë e TB në rrafsh global.
Çdo i infektuar me tuberkuloz ka të drejtë për kujdes përkatës, përfshirë këtu diagnostikimin, trajtimin dhe shërimin.