Sot rinumërohen votat e LDK-së nga vendvotimet e Vushtrrisë

Sot rinumërohen votat e LDK-së nga vendvotimet e Vushtrrisë

Sot do të rinumërohen votat e LDK-së nga vendvotimet e Vushtrrisë. Kjo pasi Prokuroria Themelore në Mitrovicë dje ka lëshuar urdhër për rinumërim të votave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë.

Zëdhënësi e KQZ-së Valmir Elezi ka thënë se në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, gjatë ditës së sotme do të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve që i takojnë një subjekti politik në komunën e Vushtrrisë.

“Në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, gjatë ditës së enjte KQZ do të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve që i takojnë një subjekti politik në komunën e Vushtrrisë”, ka konfirmuar ai

“Më shumë detaje për këtë çështje, mund t’iu japin në Prokurorinë e Shtetit. Gjatë kohës sa KQZ duhet të presë kalimin e afatit për ankesë në PZAP, do të bëhet rinumërimi i kërkuar”, tha ai.

Ky urdhër ka ardhur pasi kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka bërë parashtresë lidhur me dyshimin e keqpërdorimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Vushtrri. Sipas prokurorisë për këtë rrethanë janë ndërmarrë edhe veprime – deklarata nga: ankuesja Rrezarta Krasniqi, dëshmitarët: Çlirim Muli, Mehmet Ferati, Shkëlzen Osmani, Betim Grabanica, Pajtim Grabanica dhe Betim Xhema. Njëherësh janë shqyrtuar edhe dokumentacionet përkatëse.

Prokuroria ka obliguar hetuesin e rastit që të kontaktojë me zyrtarët përgjegjës të KQZ-së në Prishtinë dhe në koordinim me të njëjtit, të caktohet një datë e përshtatshme lidhur me krijimin e mundësive për zbatimin e kërkesës për rinumërim në objektet e QNR-së në Prishtinë.

Po ashtu prokuroria obligon zyrtarët përgjegjës pranë KQZ-së në Prishtinë, që hetuesve policorë, t’u mundësojë qasje në të gjitha pikat e përcaktuara për zbatimin sa më të lehtë të kërkesës së paraqitur nga prokuroria, derisa ka obliguar anëtarët e komisionit për të qenë të pranishëm gjatë procesit të rinumërimit të votave dhe për të verifikuar nëse ka ndonjë mos përputhje me numërimin e parë të votave.

Kujtojmë se ky rast mori përmasë më të gjerë, duke përfshirë edhe familjarë të kandidates për deputete, Rrezarta Krasniqi.

Ish kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka akuzuar duke thënë se vëllai i Rrezarta Krasniqit ka kërcënuar me jetë sekretarin e LDK’së dega në Vushtrri, Betim Grabanca.

Këto akuza i ka mohuar kategorikisht vet politikanja Rrezarta Krasniqi.

Ajo në një prononcim të shkurtër për Periskopin deklaroi se vëllau i saj s’ka kanosur me vrasje asnjë, sic u pretendua.

“Vëllai i jem që ka dal, as s’ka kanos me vrasje, as s’ka të bëjë me ato lajme. Unë deklarova që s’kam vendos unë me i cu në rinumërim votat, ka vendos Prokuroria, s’jam anku unë se ka pas shumë njerëz të tjerë, ka dëshmitarë e njerëz aty…S’është e vërtet cka po qesin, s’du me u mar unë me ato, le të merren Prokuroria”, u shpreh ajo për Periskopin.

Shpërndaje në: