Sot që të dytë gënjyen, edhe Kurti edhe Vuçiqi
Pesë ndërmjetësit ndërkombëtar u shfaqën sot në Prishtinë dhe Beograd, në kuadrin e imponimit të një marrëveshje për depërshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës dhe të dy palët, si Prishtina, ashtu dhe Beogradi, duket se kanë pranuar në heshtje detyrat e shtëpisë deri më 5 nëntor.
Kosova duhet të përgatisë vet një draft të Asosacionit, të koordinuar me SHBA, me qëllim që të plotësojë detyrimin e saj kryesor dhe të angazhohet për zgjedhjet në veri të Kosovës brenda dhjetorit, ndërsa Vuciq duhet të angazhohet në detajet e planit franko- gjerman, që përbëjnë njohjen “de facto” të Kosovës.
Negociatorët nuk kanë kërkuar “mendje” nga dy udhëheqësit ballkanik, se si do bëhet ky proces, por thjesht ua kanë vënë planin e punës përpara dhe u kanë treguar afatet. Afati i parë është 5 nëntor. I dyti në fund të vitit.
Pas këtij inkursioni ballkanik, shihen qasjet e ndryshme të Beogradit dhe Prishtinës sa i përket konsumit politik të këtij procesi
Vuciq, siç e shikojnë të gjithë, po shfaqet në publik si viktimë e planit perëndimor dhe sillet si njeri që po kryqëzohet, por “ai nuk do te dorëzohet”. Nëse e ëvren fjalorin e tij para dhe pas takimit, ai paraqitet para serbëve si një udhëheqës që po i reziston pushkatimit nga Perëndimi për Kosovën dhe që është gati madje dhe ta pushkatojnë.
Kurti ndryshe nga ai, nuk flet fare për thelbin e bisedimeve që ka bërë, nuk tregon fare që ka rënë dakord të firmosë asosacionin, por ndryshe nga Vuciq tregon se çfarë u ka thënë ai atyre, dhe në rastin konkret u ka thënë se siguria e Kosovës është më e rëndësishme se plani i paqes.
Pra po ta dëgjosh Kurtin, duket sikur Kurti i ka masakruar këta të SHBA dhe BE dhe ata nuk dinë ku të futen pasi të ikin nga Prishtina.
Të dy janë duke gënjyer, por i pari viktimizon veten për të shpëtuar Serbine, kurse i dyti viktimizon Perëndimin dhe shpreson se nëse nuk bëhet gjë, shqiptarët të fajësojnë Perëndimin.
Veçantia e dytë e takimeve të sotme, që janë të nivelit më të lartë që para 24 shtatorit, është se takimet injoruan sulmin serb në veri të Kosovës dhe po e trajtojnë atë si një ngjarje që duhet harruar, përkundër qasjes së Kurtit që thotë se tani e tutje duhet të forocjmë sigurinë.
Serbia ende nuk është ndëshkuar me sanksione për atë që ka bërë, ndërsa Kosova vazhdon të mbajë në shpinë sanksionet e marra për shkak të kundërvënies së Kurtit ndaj planit franko- gjerman.
Së paku pas gjithë kësaj, Kosova të ishte barazuar me Serbinë, ose të ishin të dyja nën sanksione, ose asnjëra. Por në fakt Kosova ende nuk është rikthyer në pikën zero edhe pas 24 shtatorit.
Së fundmi, që është dhe më e rëndësishme, në oborrin e qeverise në Kosovë, vazhdon një debat i padobishëm nëse Franca mund t’ia bllokojë apo jo vizat Kosovës dhe kjo, e parë në syrin e një politike triumfaliste kundrejt Francës. Pra shumica e mbështetësve të qeverisë shpjegojnë me detaje teknike se Franca teknikisht nuk i bllokon dot vizat.
Edhe nëse kjo është e vërtetë, kjo nuk zgjidh asgjë nëse vërtet Franca është kundër Kosovës në këtë proces. Nëse presidenti Macron vendos veton kundër Albin Kurtit, në çdo hap që ai ka përpara në bisedimet me Serbinë apo procesin e pranimit te planit franko- gjerman, Kosova humbet më shumë se sa vizat, humbet partnerin kryesor të Perëndimit, që bëri të mundur më 1999 bombardimin e Serbisë.
Pa Francën, asgjë nuk mund të bësh dot kundër Serbisë në Evropë. As atëherë as tani. Ndaj llogaritja e Francës si kundërshtar i Kosovës dhe akoma më keq, triumfalizmi që shfaqin se nuk u pengon dot vizat, është shumë dëmprurës për Kosovën. Franca mund të mos ndalojë qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza, por po i hoqi vizën Kosovës, ato viza nuk kanë çfarë duhen.
Ndaj procesi i përballjes me presionin e Perëndimit në këtë fazë kërkon seriozitet dhe mbi të gjitha besueshmëri, që po sillen si një udhëheqje pro perëndimore dhe jo si një udhëheqje në luftë me Perëndimin. Nuk e fitojnë dot kurrë atë luftë. Por dhe sikur ta fitojnë, do të ishte tragjedi për shqiptarët.