Sot përfundon afati për vëzhgues të subjekteve politike
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se sot përfundon afati shtesë për subjektet politike të certifikuara për zgjedhjet e 9 shkurtit që të paraqesin vëzhguesit e tyre.
Afatet për akreditimin e mediave, OJQ-ve, organizatave qeveritare – ndërqeveritare, përfaqësuesve të vendeve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare, ai shtoi se janë duke vazhduar.
”Po, afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara do të përfundojë sot, më 20 janar 2025, ndërkaq afatet për akreditimin e mediave, OJQ-ve, organizatave qeveritare – ndërqeveritare, përfaqësuesve të vendeve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare, janë duke vazhduar”, citon Ekonomia Online të ketë thënë Elezi.
Ai bënë të ditur se afatet tjera që janë duke vazhduar janë:
– Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore do të përfundojë më 25 janar 2025;
– Afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të organizatave qeveritare – ndërqeveritare do të përfundojë më 25 janar 2025;
– Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare do të përfundojë më 4 shkurt 2025;
– Afati për dorëzimn e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të përfaqësive të vendeve të huaja do të përfundojë më 25 janar 2025;
– Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të organizatave ndërkombëtare do të përfundojë më 25 janar 2025.
KQZ, për të lehtësuar aplikimin, KQZ ka funksionalizuar platformën online: https://apliko.kqz-ks.org/
Si bëhet aplikimi?
Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqeveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org .
Hapi i dytë:Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar.
Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mail-it përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjes edhe të dhënat për personat e organizatës/medias që kërkon të akreditohen.