Sot në Bienalen e Venecias: Politika shqiptare dhe të humburit e Sislej Xhafës
Sot hapja zyrtare e pavijonit shqiptar në Bienalen e Venecias. Në edicionin e 57-të të ekspozitës ndërkombëtare, Shqipëria shkon me propozimin e Leonard Qylafit dhe Vanessa Joan Muller, kuratore, me projektin e titulluar “Ndodhi në kohën e tashme” me piktura dhe dokumente personale që sjell një kontrast midis historive individuale dhe kujtesës kolektive; nga ana tjetër Sislej Xhafa ngre zërin në Venecia për të pagjeturit në një kabinë të mbyllur prej druri duke përfaqësuar pavijonin e Kosovës.
Sot është hapja zyrtare e pavijonit shqiptar në Bienalen e Venecias, Shqipërisë dhe Kosovës. Në edicionin e 57-të të ekspozitës ndërkombëtare, Shqipëria shkon me propozimin e Leonard Qylafit dhe Vanessa Joan Muller, kuratore, me projektin e titulluar “Ndodhi në kohën e tashme” me piktura dhe dokumente personale që sjell një kontrast midis historive individuale dhe kujtesës kolektive, në një trajtim sa politik, aq edhe poetik. Qylafi është një artist që ka aftësinë të risjellë historinë e së shkuarës me një këndvështrim, kërkim dhe praktikë kontemporane. Punët e tij në Venecia janë me piktura dhe dokumente personale që sjell një kontrast midis historive individuale dhe kujtesës kolektive, në një trajtim sa politik, aq edhe poetik. Duke e krijuar lidhjen e tij me kohën, Qylafi prodhon një ngjashmëri dhe analogji të fortë dhe të re, e cila ngre shumë pyetje, duke e bërë edhe më emocionuese potencialin e dinamikës së narrativave të paraqitura.
Nga ana tjetër, artisti Sislej Xhafa sugjeron performancën sensibilizuese duke ngritur zërin në Venecia për të pagjeturit, me përfaqësimin në pavijonin e Kosovës.
Një kabinë e mbyllur prej druri me një telefon që nuk cingëron kurrë e vendosur në një hapësirë boshe, ka zënë vend në Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venecias.
Kjo vepër e artistit mban logon “E humbur dhe e gjetur”. Me shpresë se do të kërkohet drejtësi për të pagjeturit, Xhafa ka zgjedhur të trajtojë këtë çështje, e cila vazhdon të jetë e pazgjidhur edhe sot 18 vjet pas luftës.
Historia ka nisur nga një takim me kryetarin e komisionit qeveritar për personat e humbur, Prenk Gjeta, i cili kishte treguar rrëfimin prekës të një prindi që kishte humbur tre djemtë e tij në luftë. Një natë kishte rënë zilja e telefonit dhe në momentin që ai e ka kapur, ka rënë linja. Për katër vjet ka pritur për të rënë sërish zilja e telefonit, derisa vdiq me këtë peng.
“Kjo është më e fortë se arti. Edhe këtij telefoni kurrë nuk do t’i ndihet zilja” është shprehur Xhafa i emocionuar, për këtë punë që prezanton në Venecia.
Duke e përshkruar si një punë delikate, Xhafa ka thënë se nuk mund të qëndronte indiferent ndaj çështjes së personave të zhdukur. Ekspozita e 57-të ndërkombëtare e artit, e titulluar Viva Arte Viva do të hapet për publik më 13 maj, me kuratore Christine Mace, ndërkaq e organizuar nga presidenti i Bienales së Venecias, Paolo Barrata. Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje, presidenti Barrata bienalen e përcaktoi si një vend të hulumtimit, një vend për dialog në mes të artisteve dhe publikut. “Sivjet, Bienalja i dedikohet festimit dhe falënderimit për ekzistencën e artit dhe artistëve, bota e të cilëve zgjeron perspektivën tonë dhe hapësirën e ekzistencës sonë” u shpreh Barrata. Ndërsa kuratorja e ekspozitës, Christine Mace tha se fokusi kryesor i edicionit të sivjetmë do të jetë tek artistët e rinj, të cilët duhet të mbështeten për t’u marrë me problemet shoqërore. “Sot, në një botë të mbushur me konflikte, arti përçon mesazhet më të rëndësishme të humanizmit. është mundësia e fundit për të reflektim, shprehje të individualitetit, lirisë dhe për ngritje të çështjeve fondamentale”. Bienalja e Venecias do të hapet zyrtarisht më 13 maj, kur dhe do të bëhet i ditur fituesi i edicionit të sivjetmë.