Sot na ndajnë të Përbashkëtat, jo diferencat
Largimi i një futbollisti nga përfaqësuesja e Shqipërisë për tek ajo e Kosovës ishte nga ata lajme, që meritonte të zinte vend në ndonjë kënd të vogël në faqet e gazetave sportive. Mirëpo u bë kryelajm pas atij shkrimi provokativ të Andi Bushatit, i cili çuditi jo vetëm dashamirët, por edhe armiqtë e tij, me lehtësinë me të cilën përdori fjalën “tradhtar” ndaj këtij të riu, me ironizimin e flamurit dhe himnit të Kosovës, dhe përqeshjen e dashurisë së etërve kosovarë për Shqipërinë, disa prej të cilëve e kanë shprehur këtë duke u vënë bijve të tyre emra qytetesh shqiptare.
Nuk kisha ndërmend të hyja në vorbullën e shkaktuar nga ky shkrim i hedhur ashtu dembelisht për t’u dëfryer, për të marrë klikime apo nuk e di për çfarë (siç bën ndonjëherë Bushati). Por më thithi në vorbull mënyra se si u zgjerua ajo duke risjellë në skenë, nëpërmjet një shkrimi të Baton Haxhiut, edhe një shkrim timin të vitit 1995: “Ne shqiptarët dhe kosovarët – ne kosovarët dhe shqiptarët”.
Më tërhoqi vëmendjen atje një citim jo i saktë, i vënë në thonjëza, sikur paskam shkruar asokohe se midis shqiptarëve dhe kosovarëve ka një “armiqësi të fjetur, e cila një ditë do të shpërthejë”. Në fakt, shkrimi im i asaj kohe nuk fliste për “armiqësi që do të shpërthejë”, përkundrazi fliste në emër të ndërtimit të dashurisë. Ai bazohej në idenë se identitetet kombëtar dhe, më gjerë, kulturat e një populli nuk janë diçka e ngurtë, e palëvizshme, por produkt i historisë, një proces gjithnjë në lëvizje. Dhe, meqenëse qysh kur u formuan shtete shqiptar e jugosllav, historia na ndau këtej dhe andej, thosha se gati një shekull jetë e ndryshme kishin krijuar edhe identitete të reja që nuk i ndajmë, edhe mjaft diferenca të reja, përveç të përbashkëtave (por edhe diferencave) që kemi pasur edhe më parë. Një nga diferencat kryesore që kam përmendur në shkrim është ajo se pas 1912-s e deri në atë kohë kur shkruaja shkrimin ne shqiptarët e Shqipërisë kemi pasur si kryeproblem sundimin nga njëri-tjetri, thuaj më mirë çlirimin nga njëritjetri, kurse shqiptarët e Kosovës kanë pasur problemin e çlirimit nga sundimi serb. Si pasojë, kur dolëm në vitet ’90 nga diktatura komuniste, kemi përjetuar, mes tjerash, konfliktin e pashprehur midis patriotizmit të kosovarëve, që ishin gati të jepnin jetën për të pasur shtetin e tyre të bashkuar me Shqipërinë dhe “antipatriotizmin” e shqiptarëve që po e braktisnin Shqipërinë, pas gjëmave që u kishin shkaktuar të vetët, gjë kjo e pakonceptueshme dhe e papranueshme nga patriotët kosovarë në atë kohë. Vlerësimi im i asaj kohe ishte se për këto diferenca e mosbesime, të vjetra e të rejat që po lindnin, ne nuk flisnim. I mbulonim ato me retorika boshe për “vëllezërit kosovarë”, për “çështjen e Kosovës”, për “armikun e përbashkët serb”, “bashkimin” etj., ndërkohë që duhet të flisnim për të ndërtuar një komunikim të vërtetë, për të kaluar kësisoj nga faza e “dashurisë platonike” e distancës në atë të një dashurie të kontaktit real midis shqiptarëve këtej dhe andej kufirit.
Ajo që bie në sy në debatin e këtyre ditëve, si në shkrimin dhe replikën e Bushatit edhe të shumë të tjerëve që e pasuan, është se autorët e komentuesit nga Shqipëria dhe ata nga Kosova, në reagimet e tyre, po e venë theksin te diferencat. Disa vënë në dukje epërsinë e Kosovës dhe të tjerë të Shqipërisë apo apo flasin për komplekse e paragjykime të vjetra e të reja. Pra, siç konstaton Haxhiu, duket sikur po shpërthen ajo “armiqësia e fjetur”, që unë e paskam paralajmëruar e që disa po përpiqen ta qetësojnë, duke marrë anën e tjetrit.
Duke iu referuar shkrimit të 21 vjetëve më parë mund të them se në këtë debat ndihet pikërisht mungesa e atij dialogu dhe komunikimi të vërtetë që kam kërkuar asokohe në mënyrë që, pasi t’i kuptojmë diferencat, mosbesimet e paragjykimet, nga faktorë ndarës këta të bëhen pjesë e ndërgjegjes sonë historike, të kulturës sonë, “burime komunikimi, mirëkuptimi.”
Nuk është kurrë vonë për ta bërë këtë që thashë më sipër, por 21 vjet pas atij shkrimi, aq të kontestuar asokohe, më duhet të them se jetojmë në një kontekst tjetër, në të cilin kryeproblemi shqiptar i debatit dhe dialogut që duhet të bëjmë në emër të afrimit dhe dashurisë, paradoksalisht, nuk janë diferencat, por ngjashmëritë.
Po e them këtë edhe pas një vizite që bëra para disa ditësh në Kosovë, ku munda të flas me njerëz të mençur atje, për problemet që kanë kosovarët e t’i krahasoj me problemet që kemi ne shqiptarët këtu. Pa dyshim Kosova ka probleme specifike nga ato që nuk i ka Shqipëria, që lidhen me pavarësinë e papërfunduar plotësisht, por definitivisht mund të them se ajo që, paradoksalisht, na ndan më shumë nuk janë diferencat, si 20 e kusur vjet më parë, por ngjashmëria e problematikave. E përbashkëta dramatike shqiptare sot është se edhe Kosova ka hyrë në fazën e Shqipërisë dje dhe sot, ku nuk i lipset më çlirimi nga armiku i huaj, por çlirimi prej të keqes që vjen nga të vetët. Sepse të dy palët sot kemi ndërtuar, si askund tjetër në Ballkan, shtete të kapura, të dështuara. Sepse nëse në vendet e tjera mund të flitet për shtete që kanë edhe mafiet e tyre, në dy vendet tona mund të flitet për mafie që kanë shtetet e tyre. Në të dy vendet besimi i qytetarëve tek institucionet e tyre të shtetit është minimal, për të mos thënë se shteti shihet si armik i tyre. Në të dy vendet flitet për një bjerrje dramatike të shpresës, për një atrofizim të ndjenjës së revoltës dhe protestës; për ikjen nga vendi si shpëtim. Në të dy vendet njerëzit kërkojnë të vijnë të huajt tu vendosin drejtësinë dhe shtetin e së drejtës. Në të dy vendet ka zgjedhje të kontestueshme nga palët. Në të dy vendet konflikti midis forca kryesore politike i ngjason luftës së bandave për kontroll territori dhe përfitimesh. Në të dy vendet po bjerr gjithnjë e më shumë sistemi i vlerave, kultura dija. Në të dy vendet rruga e çlirimit nga kjo e keqe shihet me parandjenjën e një fundi dramatik.
Me fjalë të tjera, sot e përbashkëta dramatike që na ndan është se si shqiptarët edhe kosovarë jetojnë keq në vendet e tyre, sepse relacionet njerëzore në të dy vendet janë përkeqësuar dramatikisht; sepse njëri-tjetrin e shohim gjithnjë e më shumë vetëm si instrument për ta përdorur, si klient apo si viktimë për ta vjedhur; sepse deri trashëgiminë dhe natyrën e përbashkët dhe publiken, që lidhin njerëzit, shqiptarët e shohin si plaçkë për ta privatizuar dhe grabitur për interesa paraje dhe pushteti. Në këtë klimë, ku jeta si njeri i ndershëm, i lirë dhe me dinjitet bëhet gjithnjë e më e vështirë, ku burimeve si natyrore edhe shpirtërore po u vjen fundi, ndjenja të tilla si miqësia, dashuria, besimi i njeriut te njeriu zveniten. Këto janë të këqija të përbashkëta që, detyrimisht, na ndajnë po qe se nuk bashkohemi dot t’i luftojmë, siç nuk po e bëjmë dot. Këtë janë më keq se një pushtim i huaj sepse pushtimi edhe të bashkon, siç ka bashkuar kosovarët dje.
Në sajë të këtij pushtimi nga të vetët sot bijtë e atyre kosovarëve që nuk arrinin të kuptonin shqiptarët që iknin në fillimvitet ‘90, besoj se i kuptojnë sot shumë më mirë. Sepse ata po ikin edhe vetë në Evropë (apo edhe deri në Siri për të luftuar në krah të ISIS-it), si pasojë e bëmave të të vetëve. Harrova të them: të përbashkët si në Shqipëri dhe në Kosovë kemi edhe faktin se kryepërgjegjësit e këtij “më keq se pushtimi” mbi shqiptarët kërkojnë ta mbulojnë këtë masakër duke u rënë tambureve të atdhedashurisë, të miqve dhe armiqve të huaj të përbashkët apo duke tundur flamurin kuq e zi nëpër stadiume.
Meqenëse ky shkrim lindi nga një lajm mbi futbollin le ta mbyll me të përbashkëtat edhe në sport. Të dy palët kemi të përbashkët faktin se, për vetëmburrje kombëtare, u kërkojmë djemve të emigrantëve, të rritur, edukuar e stërvitur në Zvicër apo Gjermani, të luajnë në përfaqësueset e tona. Të dy palët qorrollepsemi pas ndonjë fitoreje, nganjëherë duke bërë të tillë edhe humbjen, siç ndodhi me përfaqësuesen shqiptare në Francë. Të dy palëve nuk na preket fare sedra kur shohim fqinjët grekë, serbë, kroatë, malazezë të marrin pjesë në kaq po kaq shumë sporte, madje edhe me suksese të jashtëzakonshme, si në Olimpiadën që po zhvillohet këto ditë në Brazil e të ngremë pyetjen: po ne çfarë na mungon? Asgjë, përveç faktit të përbashkët se vazhdojmë të bartim nga brezi në brez një kulturë që e sheh shtetin vetëm si instrument për të vjedhur e sunduar të tjerët e që i ka kthyer shqiptarët në një turmë individësh që s’dinë të ndërtojnë interesin e përbashkët.
E pra, jo diferencat, as armiku i huaj, por se si të shpëtojmë nga kjo e keqe e përbashkët duhet të jetë sot “çështja shqiptare” më e madhe që duhet ta trajtojmë edhe veçmas në Tiranë dhe Prishtinë, por edhe së bashku, qoftë edhe në godinën e Lidhjes së Prizrenit po të doni, në emër të dashurisë me njëri-tjetrin jo thjesht si shqiptarë, por si njerëz mbi të gjitha.