Sot 15 vjet bota u bë me Facebook
Pesëmbëdhjetë vite pas konceptimit në një dhomë konvikti në Harvard, Facebook është shndërruar në liderin numër një të rrjeteve sociale në botë duke numëruar mbi dy miliardë përdorues.
Një sukses që u pasua edhe me një kalvar problematikash.
Më 4 shkurt 2004, Mark Zuckerberg hodhi në rrjet embrionin e Facebook.
Sot kompania është prezente në përditshmërinë e një të katërtës së planetit, vlen 500 miliardë dollarë në bursë dhe grumbullon 22 miliardë fitime neto në vit.
Dhe në moshën 34 vjeç, drejtuesi i Facebook peshon 62 miliardë dollarë.
Megjithatë, kjo histori e pabesueshme suksesi është bërë objekt sulmesh prej gati dy vitesh nga një valë thuajse e pandërprerë skandalesh dhe zbulimesh rreth metodave të rrjetit social, përfshirë të ardhurat që vijnë nga reklama.
Lista e kritikave është e gjatë, deputetë të shqetësuar për keqinformimin që po vërshon mbi platformë, mbrojtësit e privatësisë që propagandojnë kundër mbledhjes gjithnjë e më masive të të dhënave personale për të nxjerrë përfitime dhe vetë aktivistët e të drejtave të njeriut.
”Bëhet fjalë për një sipërmarrje shumë të fuqishme, që krijoi një produkt miklues ku shumë persona kanë krijuar varësi prej tij”, thekson autori dhe analisti Josh Bernoff.
Dhe e gjitha kjo shoqërohet me një përgjegjësi të madhe.
Pas problemeve në 2018, Facebook nuk është më qendra e lëvdatave për shpikjet e tij.
”Faktet edhe një të një rëndësie sado të vogël shqyrtohen me kujdes”, shprehet Debra Aho Williamson analiste tek eMarketer.
Në moshën 15-vjeçare Facebook-u duhet të maturohet, nuk është më një fillestar.
Facebook u shndërrua një një perandori që zotëron disa aplikacione falas, nga më të përdorurat sot në botë si Instagrami, që revolucionarizoi fotografinë dhe raportin me pamjen, apo ‘’Messenger’’ dhe ‘’WhatsApp’’ për të komunikuar.