Sorenseni edhe formalisht zgjidhet si pasardhës i Lajçakut për dialog

Sorenseni edhe formalisht zgjidhet si pasardhës i Lajçakut për dialog

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar në takimin e sotëm në nivel të ministrave të jashtëm për emërimin e diplomatit danez Peter Soresen si të dërguar të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, post në të cilin do ta zëvendësojë Miroslav Lajçakun të cilit më 31 janar i përfundon mandatin gati pesëvjeçar.

Në deklaratën e Këshillit të BE-së, në të cilën njoftohet për emërimin e Sorensenit në këtë postë, thuhet se ai do ta ketë për detyrë avancimin e implementimit të marrëveshjes.

“Detyra e Përfaqësuesit të ri të posaçëm do të jetë të lehëtsojë dialogun i cili do të kontibuon në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës dhe në veçanti në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e implementimit të saj të miratuar në shkurt dhe mars të vitit 2023. Zoti Sorensen do të nisë punën e tij më 1 shkurt 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh”, thuhet në këtë komunikatë.

Më tej në të përmendet edhe karriera e deritashme e Peter Sorensen si diplomat danez me përvojë të gjatë nga rajoni.

Ka ushtruar disa detyra, qysh nga periudha e administratës së UNMIK-ut në Kosovë, në shtyllën që e ka udhëhequr BE-ja e deri te roli i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Bosnjë e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë.  Ka qenë edhe shefi zyrës së BE-së në Shkup si dhe i dërguar i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Serbi.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Kaja Kallas kishte vendosur para një jave që Sorensen të jetë përfaqësues i posaçëm për dialog. Më pas këtë e kishin mbështetur vendet anëtare në Këshill në nivel të ambasadorëve ndërsa kjo është miratuar sot edhe formalisht pa diskutim nga ana e ministrave të jashtëm të BE-së.

Sorensen do të jetë përfaqësues special i BE-së për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës. Miroslav Lajçak, paraardhës i Sorensenit, ka pasur në titullin e tij përveç dialogut edhe “çështjet tjera rajonale”./koha

Shpërndaje në: