Sorensen vjen në Kosovë javën e ardhshme

Emisari evropian për dialog, Peter Sorensen, do të vizitojë Kosovën javën që vjen, merret vesh nga burimet diplomatike në Bruksel.
Do jetë kjo vizitë e parë e tij në cilësinë e përfaqësuesit të veçantë të Bashkimit Evropian për dialog prej se ai mori detyrën më 1 shkurt, kur e trashëgoi Miroslav Lajçakun.
Vizita do zhvillohet mes 17 dhe 19 marsit, raporton rtk, transmeton Periskopi.
Fillimisht ishte planifikuar që Soresnen të vizitojë të njëjtën javë edhe Serbinë, por se udhëtimi në Beograd ndërkohë është anuluar dhe shtyrë për një moment tjetër.
Nuk ka konfirmim zyrtar nëse anulimi i vizitës në Beograd ka të bëjë me situatën aktuale në Serbi dhe protetsta që po zhvillohen në këtë vend.
Sipas zyrtarëve evropianë, takimet eventuale në kuadër të dialogut, Sorensen do t’i zhvillojë vetëm pasi të ketë bërë vizitat, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.
Ndër temat e para që do duhej t’i trajtojë Sorensen në takimet e përbashkëta do jetë çështja e personave të zhdukur.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në dhjetor u dakorduan për zbatimin e deklaratës së të zhdukurve, e cila ishte miratuar në nivel liderësh në maj të vitit 2023.
Takim i parë i Komisionit të Përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit, i organizuar më 15 janar, dështoi pasi që pala serbe refuzoi të marrë pjesë.