Sondazhi shpërfaq shqetësime për shëndetin mendor të Bidenit
Një sondazh i ri në Shtetet e Bashkuara sugjeron se disa votues demokratë janë gjithnjë e më të shqetësuar nëse Joe Biden është i aftë mendërisht për të shërbyer si president.
Sondazhi nga mediumi CBS News dhe kompania e të dhënave, YouGov, u bë pas debatit mes Bidenit dhe kundërkandidatit republikan, Donald Trump, javën e kaluar.
Ai tregon se 72% e votuesve të regjistruar besojnë se Biden nuk ka shëndet mendor për të shërbyer edhe një mandat.
Shifra paraqet rritje në krahasim me 65% të të anketuarve që thanë të njëjtën gjë në një sondazh të mëparshëm.
Sondazhi i fundit tregon, po ashtu, se 49% e votuesve thanë se Trump nuk gëzon shëndet mendor për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Shqetësime për moshën e kandidatëve – Biden është 81 vjeç dhe Trump është 78 – ka pasur edhe para debatit të 27 qershorit.
Megjithatë, zëri i ngjirur dhe përgjigjet e ngatërruara të Bidenit i kanë rritur shqetësimet në mesin e demokratëve për kandidaturën e tij – disa prej të cilëve kanë bërë thirrje edhe për tërheqjen e tij.
Vetë Biden ka pranuar se nuk ka pasur paraqitje të mirë gjatë debatit me Trumpin, por ka thënë se rizgjedhja e tij “do ta shkatërronte demokracinë”.
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 5 nëntor. /REL/