Sondazhet si ngushëllim e shpresë për derexhen
Kam dy a tre probleme me gjithë bujën që u bë pas këtyre sondazheve. E para, është metodologjike dhe ka të bëj me botëvështrimin tim prej kur tashmë një kohë prirem të mos u besojë konstatimeve/anticipimeve të disponimeve, por të gjendjeve. Me fjalë të tjera t’i besojë deduksionit, jo induksionit. E sondazhi për nga natyra, më shumë se sa gjendje konstaton disponim (diçka jo edhe vështirë i ndryshueshëm).
Sondazhi/induksioni njeriun e sheh si vetor-numër, jo si qenësor psikosomatik, kurse shoqërinë tërësi numerike individësh (rrënjet e kësaj filozofie shkojnë deri tek nominalizmi që nisë me Williamin e Ockhamit në Mesjetë, por këtu nuk ka vend të lëshohem më gjatë). Për më tej jam personalisht dëshmitar se ç’masakra bëhen në shkollën induktive: në Shkenca Politike (shih çfarë emri njëherë, në vend se të ishte drejt Politikologji), nëpër lëndët “Metodologji e shkencave”, shumë studentë i mbushin vetë pyetësorët për t’u kthyer e për t’i prezantuar si “gjetje terreni”. Me ketë nuk po dua ta kontestoj punën e kompanisë, megjithëse nuk i kam parë tek pyetësojnë në qytetin ku jetoj, paçka do të mund të rrezikoja që këtë punë ta shoh pak si produkt Prishtine, por le të ekzistojnë, e le të funksiojnë. Meqë jemi të paemancipuar për ta konstatuar gjendjen tonë të keqe, le të mjaftohemi me konstatime disponimesh. Meqë nuk e duam veprimin, le të mjaftohemi me muhabet.
Zaten ku tjetër pos se në copëzimin tonë, në hapërdarjen tonë si vezë insekti, në depolitizimin tonë, në gjuhën sektoriale të specialistëve fjalamanë që na kanë mbërthyer e në mediatizimin e çdo pori të jetës, zënë vend edhe apodiktika e induksionit përkatësisht gëzimi i një pjese të shoqërisë, se më në fund paska ndrrime në venet 2 dhe 3, por jo edhe në hyqymet! Pra ky i fundit është aq i shkëputur, aq larg qytetarit mesatar, saqë për ne akoma s’ka prevaluar në urgjencë imediate ikja e bandës gjysmëanalfabete, por ndryshimet në vendin 2 dhe 3! Madje prirja statistikore e imazhiste e shqiptarit të Kosovës, dje më shumë u përkujdes që t’ia shtojë pëlqimet Çitakut, se sa Zoti na ruajtë t’ia numërojë ditët bandës. Por edhe lufta e LDK-së dhe VV-së, shpërfaqë shumçka: luftën e dy taborreve që nominalisht s’preferojnë të konsiderohen parti, por lëvizje shoqërore, e që në hendekun qytetarë/politikë duket se kanë filluar ta hanë fasulen “kokërr më kokërr”, para zgjedhjeve të rradhës, prirje që davaritë besatimin prej lidhjeje/lëvzijeje në regjistra emrash partiakë/kartela partishë.
Si lidhje që pretendon të jetë formësuar mbi unifikimin popullor karshi Millosheviqit, LDK-ja del të jetë në situatën më të mjerueshme: Millosheviq më ska, jo falë saj por falë tjerëve, kurse tashmë gati për një dekadë ky subjekt e gjen veten si patericë e atyrë që i akuzon(te) për vrasjet e pasluftës, diçka që mundën ta arsyetojnë deri më 2010, meqë shpallja e pavatësisë sapo kishte ndodhur, por jo pasi që inicuan prishjen e VLAN-it. Në anë tjetër të qenit i rivalizuar nga pjesa që deri vonë konsiderohej më e vogla nga të zhgënjyerit e krahut të luftës, dhe që nuk merrej seriozisht as nga vetë dy partitë e krahut të luftës PDK dhe AAK, flet më së miri për gjendjen e LDK-së.
VV në anën tjetër, së paku jo publikisht nuk do të duhej të investonte në gjëra të tilla si sondazhet. Kjo sepse s’shkon me natyrën e saj prej besimtarësh idealistë. Presioni e mbipeshimi i sasiores në një botë që ka kthyer gjithçka në numër është i kuptueshëm, por për nga natyra fortësia e thirrjeve besimtare e idealiste, nuk shkojnë bashkë me lëngshmërinë e disponimeve. Kur VV pati e pati zhvendosur AAK-në në vendin e katërt, krejt kjo pati kaluar në natyrshmëri të plotë, dhe disi si e vetëkuptueshme. Një shtrirje e tillë nomotetike nuk do të duhej të sfidohej nga idiografia mashtruese e numrave, respektivisht partizimit.
Autori është politikolog