Sondazhet për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë: Si t’i kuptojmë përqindjet

Sondazhet për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë: Si t’i kuptojmë përqindjet

Shkruan: Valon Murati

Në një sondazh të realizuar nga Euronews Albania në pyetjen se si do të votonin në një referendum të mundshëm për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, 82,9% të respondentëve në Shqipëri janë deklaruar pro dhe 70.6% në Kosovë. Si zakonisht pas rezultateve të tilla gjithnjë ka zëra në Kosovë që shprehen të habitur pse ka një përqindje kaq të madhe për bashkim në Shqipëri duke e projektuar në kokën e vetë me vite të tëra se qytetarët e Shqipërisë janë kundër bashkimit. Të gjithë ata që e njohin mirë Shqipërinë zyrtare, funksionimin e shoqërisë atje por edhe sondazhet e mëhershme, së paku ato prej vitit 2000 e këtej, fare nuk habiten me këtë rezultat. Që nga sondazhi i Gallupit i vitit 2000 ose 2001 kjo shifër në Shqipëri qëndron diku tek 82%, përderisa në Kosovë nga atëherë kur ishte tek 86% ka rënë diku në 70%. Tash, nevojitet një shpjegim edhe për Kosovën. Pse ka rënë kjo shifër në Kosovë e cila ka frymuar me idenë e lirisë dhe bashkimit aq gjatë. Janë disa faktorë sipas mendimit tim:

1. Çlirimi dhe bashkimi deri në vitin 1999 ishin sinonime. Por për shkak të rrethanave ndërkombëtare por edhe atyre të brendshmeve çlirimi e liria erdhën pa bashkim. Në rrethanat e reja bashkimi nuk u trajtua jetik, siç ishte në të kaluarën kur ishte ngjitur me konceptin e lirë dhe të çlirimit.

2. Më pas Kosova u pavarësia. Kjo pavarësi u kurorëzua si rezultat i një procesi negocimi ndërkombëtar. Pjesë e këtij negocimi ishte Pakoja e Ahtisaarit e cila, për të bërë përpjekje që ta akomodonte edhe interesin e Serbisë, Kosovën e bënte shtet të pavarur, me kufizime të mëdha të funksionalitetit të brendshëm. Pjesë e kompromisit dhe këtyre parimeve ahtisariane, ishte ndalimi i bashkimit përmes kushtetutës. Dhe nuk ishte problemi themelor. Problemi fillonte me gati pamundësinë e ndryshimit të kushtetutës për shkak të vetos serbe ndaj çfarëdo ndryshimi kushtetues. Këto ishin kushtet që u pranuan për projektin e pavarësisë së Kosovës.

3. Që nga viti 1999 me një kombinim ndikimit të faktorëve të jashtëm dhe e tërheqjes nga kjo ide e faktorëve të brendshëm (sidomos krahut të luftës që ishte bartës i konceptit të bashkimit, por jo vetëm), projekti i bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë u luftua egërsisht (si diçka prapanike madje) dhe u promovua me agresivitet ideja e një identiteti kosovar të ndarë nga ai shqiptar. Puna e palodhshme e strukturave dhe individëve të jashtëm e të brendshëm që besojnë në një identitet të veçantë kosovar e përcjell kjo me një fushatë të herëpashershme kundër Shqipërisë dhe çdo gjëje që vjen nga Shqipëria, sigurisht që ka lënë pasoja.

4. Propagandimi i vazhdueshëm deri në histeri se ideja e bashkimit është në kundërshtim me shtetin e Kosovës, paçka se nga lëvizja jonë kombëtare çlirimtare prej viteve 1970’ i ka trajtuar kërkesat qoftë për Kosovën Republikë në kuadër të Jugosllavisë, qoftë për Kosova e pavarur, si hapa drejt bashkimit. Kështu me idenë se po prishet shteti i Kosovës, e edhe më absurde se po bie Pakoja e Ahtisaarit (ndonëse kompromis) u luftua projekti i ripërcaktimit të kufijve. Në këtë kontekst u dëmtua rëndë interesi i Kosovës dhe i shqiptarëve me luftimin e kësaj ideje. Kështu u shpallën më të rëndësime për ne Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku sesa Presheva, Bujanoci e Medvegja. Atëherë, sot e nesër do të mbesim të kurthuar në jofunksionalitet dhe moszgjidhje të problemeve me Serbinë, pa e rikthyer në tryezën e bisedimeve projektin e ripërcaktimit të kufijve.

5. E në këto rrethana si më lartë, në kontekstin e gjithë këtyre presioneve dominon frika se kjo ide nuk e ka aktualisht përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare sidomos amerikanëve dhe evropianëve.

Dhe përkundër këtyre që u thanë më lartë, pas 26 viteve ende 70,6% deklarohen se janë pro bashkimit në Kosovë. Realisht bashkimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nuk mund të ndodhë jashtë një konteksti ndërkombëtar dhe rrjedhimisht as pa përkrahjen e faktorëve kryesor ndërkombëtar, në rastin tonë sidomos SHBA-ve dhe vendeve kryesore të BE-së. Kur të krijohen ato rrethana, në referendum vullneti i qytetarëve të të dyja shteteve tona do t’i afrohet 95%-it. Deri atëherë, kemi edhe disa punë për ta konsoliduar dhe bërë Kosovën tërësisht sovrane për të arritur pastaj për të vendosur për fatin e saj, përfshirë edhe nëse do ose jo një bashkim me Republikën e Shqipërisë.

 

Shpërndaje në: