Sokol Havolli: Njëqind eurot e Kurtit në fundvit përfunduan te “mafia e energjetikës”
Kandidati për deputet nga LDK-ja, Sokol Havolli, ka deklaruar se duhet të fokusohemi në të ardhmen dhe të analizojmë atë që ka realizuar aktualisht Qeveria Kurti, duke theksuar se dështimet e saj janë të dukshme për qytetarët.
Ai kritikoi Qeverinë për evitimin e debateve politike dhe përkeqësimin e kushteve të jetesës gjatë katër viteve të fundit.
“Nuk do të merremi shumë me të kaluarën duhet të fokusohemi nga e ardhmja se çka ka realizuar kjo Qeveri dhe për dështimet e njëpasnjëshme janë dëshmitar qytetarët dhe kjo është arsyeja pse Qeveria në ikje e eviton çdo lloj debati politik përfshirë edhe në periudhën e zgjedhjeve sepse e kanë vështirë të rrinë edhe në studio televizive. Jeta e qytetarit për gjatë katër viteve është keqësuar” potencoi ai.
Havolli theksoi se infuzioni i 100 eurove që u dha në fund të vitit ka përfunduar në rritjen e faturave të energjisë, të cilat ai i sheh si një tentativë për të ndihmuar “mafinë e energjetikës”.
“Ka pasur infuzion të 100 eurove në fund të vitit dhe të gjitha këto kanë përfunduar në faturat e rrymës të cilat janë të qëllimshme për të përfunduar në mafinë e energjetikës përfshirë edhe Martin Berishaj”, tha ai.
Ai gjithashtu kritikoi presionin ndaj bizneseve, duke e quajtur atë shantazh, dhe e vlerësoi situatën si emergjente për një ndryshim të politikës dhe programit ekonomik, duke e cilësuar këtë si pjesë të programit të LDK, “Rruga e Re”.
“Situata përveç që është e rëndë për qytetarin është edhe emergjente të ndryshohet se presioni që Qeveria e bënë ndaj bizneseve është presion i llojit të shantazhit dhe kështu nuk bëhet ndërtimi i shtetit. Është emergjente të ketë ndryshim politika dhe tek programi me politika ekonomike dhe të gjitha këto janë të përfshira në programin Rruga e Re”, shprehet Havolli.