Snowden shokon me deklaratën e tij: Facebook mbledh dhe shet të dhënat tuaja
Cicëruesi i njohur i NSA-së, Edward Snowden ka bërë një koment lidhur me Facebook-un.
Ai ka thënë se Facebook është një “kompani survejimi” që shet të dhënat personale të përdoruesve të vet.
“Bizneset që fitojnë para duke mbledhur e shitur të dhënat private, dikur quheshin ‘kompani survejimi’”, ka shkruar ish-kontraktori i Agjencinë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së.
“Ribrendimi i tyre me emrin ‘rrjete sociale’, është mashtrimi më i suksesshëm që prej kur Departamenti i Luftës u shndërrua në Departament të Mbrojtjes”, ka shkruar Snowden, shkruan Periskopi.
Ky koment i Snodwen, që është shpërndarë mbi 30 mijë herë në Twitter, vjen në një kohë kur “Cambride Analytica”, një kompani private për analizë të të dhënave e cila kishte punuar për ekipin elektoral të Presidentit amerikan, Donald Trump, akuzohet se kishte mbledhur informatat e më shumë se 50 milionë përdoruesve të Facebook pa dijeninë e tyre, gjatë kampanjës zgjedhore.
Pas publikimit të skandalit, Facebook pezulloi qasjen e “Cambridge Analytica”-s në platformë javën e kaluar, duke pretenduar se kompania dhe dy individë që kishin ndihmuar në mbledhjen e të dhënave, e kishin mashtruar rrjetin social. /Periskopi/