Skulpturat e Damien Hirst në Venecie
Skulpturat e monstrumëve nëpër beteja me luanët e gjarpërinjtë, apo koka e gjigantit nga mitologjia greke, Ciklopit, janë pjesë e ekspozitës që është hapur të dielën, e që është titulluar “Treasures from the Wreck of the Unbelievable” (Thesare nga përmbytjet e të pabesueshmes). Ekspozita po mbahet në “Palazzo Grassi” dhe sallat e “Punta della Dogana” në Venecie.
Koleksionuesi i artit, njohësi i modës franceze dhe sipërmarrësi, François Pinault, e ka përshkruar projektin e Hirst si “të guximshëm, të zgjeruar dhe ambicioz”. Pinault, 80-vjeçar, e ka njohur Hirst për rreth 30 vjet dhe dy nga muzetë që i posedon i ka vënë në dispozicion të Hirstit. Vendet ofrojnë një hapësirë të madhe që i shkon për shtat ekspozitës.
Skulptura “Demon with Bowl” (Demoni me tas) për shembull, është 18 metra e lartë dhe mbush gjithë pjesën e brendshme të “Palazzo Grassi”. Ekspozita e cila është hapur më datë 9 prill rrëfen historinë e thesarit legjendar të artit, që kishte qenë në anijen “The Apistos” por që ishte fundosur në det në afërsi të Venecias para rreth 2 mijë vjetësh.
Një numër i skulpturave të përfshira në ekspozitë janë hyjni dhe perëndesha antike (duke përfshirë edhe një që ngjason me Kate Moss) dhe të cilat, sipas përshkrimeve nga përrallat e legjendave të kohës, thuhet se janë rikuperuar e ringjallur për ekspozitën. Por një gjë e tillë është bërë për t’i bërë konfuzë vizitorët e ekspozitës.
“Vizitori në të vërtetë nuk e di nëse veprat që i sheh kanë kaluar 2 mijë vite në fund të detit, apo nëse janë vepra të artistit”, ka thënë Martin Bethenod, drejtor i dy vendeve që janë pronë e “Foundation Pinault” e në të cilat janë ekspozuar veprat. “Është ky lloj paqartësie që lë hapësirë për ëndrra… ka nivele të ndryshme të interpretimit e që e pasurojnë dhe e bëjnë më kompleks gjithë projektin”.
Reagimet e kritikëve sa i përket ekspozitës së artistit të mirënjohur sidomos për veprën “The Physical Impossibility of Death in the Mind of Someone Living”, e që kishte marrë “Turner Prize” më 1995, kanë qenë të ndara.
“Sinqerisht, kjo ekspozitë është absurde”, ka thënë Rachel Campbell-Johnston i “The London Times.”
“Do të duhej të hidhet në fund të detit”, ka shtuar ai. Por Jonathan Jones nga “The Guardian” ka qenë i shfrenuar në lavdërimin e tij…”imagjinata arrogante, interesante, e mrekullueshme e bëjnë këtë artist kaq emocionues” ka shkruar ai.
Ekspozita “Treasures from the Wreck of the Unbelievable” do të mbetet e hapur për vizitorët deri më 9 dhjetor.