Skepticizëm për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës
Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës vështirë se do të hiqen gjatë këtij viti.
Në shtetin e Francës, ndër vendet kryesore të bllokut evropian, thonë se diskutimet për këtë çështje brenda unionit janë duke vazhduar, por vënë në pah vështirësitë për një lëvizje pozitive në këtë drejtim.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot thekson për KosovaPress, se janë pro heqjes graduale të masave, mirëpo, sipas tij, “veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit nuk po e bëjnë të lehtë përparimin”.
“Masat u vendosën në 23 qershor pas një lëvizjeje të Qeverisë së Kosovës që çoi në një situatë shumë të tensionuar, në trazira. Ka pasur diskutime më pas dhe diskutimet kanë rifilluar gjatë vitit 2024″.
“Ne kemi qenë për një heqje graduale të masave, por disa veprime të njëanshme nuk e bëjnë të lehtë përparimin në atë drejtim”.
“Diskutimet do të vazhdojnë, janë duke vazhduar dhe do të shohim se kur do të jetë e mundur heqja e tyre. Jemi pro heqjes graduale të masave”, thekson ai.
Se nuk ka vendimmarrje në BE për çështjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës e tha me 15 nëntor edhe zëdhënësi i unionit, Peter Stano.
“Përgjigja është sikurse herën e fundit. Çështja është duke u shqyrtuar në Këshill dhe do të vendoset nga vendet anëtare pa marrë parasysh se kur do të nisin mandatin institucionet e reja”, u përgjigj Stano në pyetjen se a do të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës para përfundimit të mandatit të Komisionit aktual Evropian apo do të pritet përbërja e Komisionit të ri.
Në anën tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lyen, gjatë vizitës së saj në Kosovë në fund të muajit tetor, tha se duhet punë e mëtejshme e Kosovës për heqjen e masave ndëshkuese.
Sipas burimeve diplomatike të BE-së, në diskutimet e fundit për këtë temë, shumica e shteteve anëtare kanë qenë në favor të heqjes së masave, askush nuk ka qenë në mënyrë të prerë kundër heqjes së tyre, por ka pasur dallime rreth asaj se si dhe kur do të bëhet një gjë e tillë.
BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.