S’kanë të ndalur dallaveret në Ministrinë e Liburn Aliut, dyshime për konflikt interesi për rrugën “Prishtinë-Podujevë”

S’kanë të ndalur dallaveret në Ministrinë e Liburn Aliut, dyshime për konflikt interesi për rrugën “Prishtinë-Podujevë”

Tashmë ka nisur ndërtimi i rrugës nacionale ”Prishtinë – Besi – Podujevë”, e cila është kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës. Periskopi ka bërë disa raportime për shkelje të ligjit gjatë realizmit të tenderit.

Një gjetje e re çon në konflikt të mundeshim të interesit në njërën prej pesë kontratave që janë lidhur për këtë projekt.

Kontrata për lot 0 e është nënshkruar me kompaninë “Pro& Co Group” Shpk; e cila ka qenë në konzercium me kompaninë “Levantia Ingenieria Y Construccion sl”, me çmim të ofertës prej 6. 484, 854, 58 euro. Pronare në këtë kompani është Armenda Beqiraj, ndërsa drejtor menaxhues, Kenan Emini.

Bazuar në shkresën e kontratës, të cilën e ka parë Periskopi, projekti për ndërtimin e rrugës është hartuar nga Kompania “GEO MAP” e kontraktuar nga ish- Ministria e Infrastrukturës. Bazuar në të dhënat e ARBK-së, pronar në këtë kompani është, Florent Emini.

Florenti dhe Armenda janë burrë e grua dhe jetojnë bashkë.

Ligji i Prokurimit Publik, konkretisht, legjislacioni sekondar nuk lejon që personat e njëjtë që kenë qenë të involvuar në projektim të jenë edhe në ndërtim.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik –KRPP, është institucioni që kujdeset për mbarëvajtjen e Ligjit të Prokurimit nga ana e institucioneve publike.

Para pak ditëve, ky institucion ka dhënë një interpretim lidhur më atë se a lejohet metoda ‘projekto dhe ndërto’.

Në nder tjera KRPP ka thënë se “Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose të marrë pjesë në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë punonjës, drejtues, menaxher ose drejtor i saj: 1.1. ka qenë pjesëmarrës në përgatitjen e njoftimit të kontratës ose dosjes së tenderit, ose në përgatitjen e ndonjë pjese të tyre, që shfrytëzohet nga autoriteti përkatës kontraktues; ose 1.2. ka pranuar ndihmë për përgatitjen e tenderit ose kërkesës për pjesëmarrje nga një person ose ndërmarrje që ka marrë pjesë në përgatitjen e njoftimit të kontratës ose dosjes së tenderit ose të ndonjë pjese të ndonjë pjesë të këtyre të fundit. 1.3. Duke qenë në cilindo rast në një konflikt interesi, siç përcaktohet në nenin 4, paragrafi 1.75”.

Pra. ligji thotë se nuk lejohen që punonjësit, drejtuesit, menaxherët ose drejtori i saj të jenë të përzier në të dy kontratat.

Për të parë, nëse personat e njëjtë janë involvuar në dy kontratat, Periskopi ka bërë qasje më 14 qershor në Ministrinë e Infrastrukturës për të parë të gjithë dokumentacionin e ofertave fituese. Të njëjtit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje. Më pas Periskopi i është drejtuar edhe Agjencinë për Informim dhe Privatësi e cila duhet të obligojë ministrinë për të kthyer një përgjigje, të cilën Periskopi ende është në pritje për ta marrë.

Megjithëkëtë, Periskopi ka gjetur disa emra ekspertesh që janë të angazhuar në të dy kompanitë, pra që paguhen nga “Pro & Co Group SH.P.K. dhe nga  “GEO MAP” por nuk dihet nëse të njëjtit kanë qenë të angazhuar në këto dy projekte specifikisht. Megjithëkëtë, ajo çfarë është e sigurt qendron në faktin se të dy bashkëshortët janë pronarë dhe udhëheqin të dy kompanitë.

“Kodi etik i prokurimit”,  në nenin 5 e ka kapitullin “Konflikti i interesit”. Këtu paragrafi 5.4  tregon se janë tri pika të caktuara të një procedure të prokurimit publik, ku mund të lind konflikti i interesit:

  • brenda autoritetit kontraktual
  • ndërmjet autoritetit kontraktues dhe tenderuesit
  • mes atij që ka përgatitur specifikimet teknike / dokumentet e tjera mbështetëse dhe tenderuesit.

.

Në janar të vitit 2023, zëvendësministri, Hysen Dumrishi nëpërmjet një video kishte prezantuar projektit që e kishte hartuar “Geo Map”, dhe e kishte pasqyruar vetëm lotin e parë. Pikërisht këtë lot, disa muaj më vonë do ta fitonte tenderin për ndërtim, familja e njëjtë që e ka bërë projektin

Ani pse Periskopi disa herë ka publikuar artikuj ku janë vërtetuar shkelje të rënda të ligjit  përgjatë procesit të tenderimit, kjo ministri pashmangshëm ka vazhduar lidhjen e kontratave, duke shpërfillur edhe  opinionet e organeve të cilat e monitorojnë këtë proces.

Së fundmi, ministria ka shpërfillur dy opinione të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik i cili është  kompetent  për  zbatimin dhe zhvillimin e përgjithshëm  të sistemit të Prokurimit Publik në Kosovë.

Periskopi ka zbuluar se ky institucion i ka kërkuar ministrisë që të përmirësojë disa kritere në dosjen e tenderit. Por, ministria nuk ia ka marrë për bazë ato, derisa ka vazhduar me zellin e njejtë për lë lidhur kontrata me kompanitë favorizuese.

Njërin opinion, Periskopi e ka publikuar ditë më parë, i cili ka të bëjë me vendosjen e një kriteri diskriminues.

Redaksia ka pasur qasje edhe në opinionin tjetër të lëshuar nga KRPP-ja. Në këtë opinion është vërtetuar një shkrim i Periskopit në të cilin është faktuar se si ministria ka vendosur kritere vlerësuese për dhënie të kontratës që janë në kundërshtim Ligjin e Prokurimit Publik.

“KRPP ka monitoruar Aktivitetin e Prokurimit me Titulli: “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N25. Prishtinë-Besi-Podujev, Loti 0,1,2,3 dhe struktura lot 5”  me nr. prok. 205-23-21-511”  me vlerë të parashikuar Totali: 38,030,326.00 euro €,  publikuar me datë 06.01.2023, në platformën E–prokurimi, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Ministria e infrastrukturës dhe planifikimit”, thuhet në hyrje të opinionit në të cilin Periskopi ka pasur qasje.

Çka ka gjetur KRPP, që nuk e ka zbatuar ministria

Në këtë opinion KRPP ka konstatuar se lidhur me kërkesat administrativ, kualifikuese dhe përzgjedhëse Autoriteti Kontraktues ndër të tjera ka kërkuar si në vijim:

Pika I– Autoriteti kontraktues ka ngritur Deklaratën e Nevojave dhe Disponueshmerin e Fondeve (DNDF), mirëpo nuk e ka nënshkruar sipas kërkesave ligjore, Aprovimi nga ZKA.

Lidhur me konstatimin numër një, respektivisht kërkesat e nenit 9 të LPP-së, KRPP, ka rekomanduar Autoritetin Kontraktues të veprojë në pajtim me nenin 9 të Lpp-së respektivisht nenin 8 të Rregullorës për Prokurim Publik (RrPP) ku specifikoj se;  Para se të fillohet me ushtrimin e çfarëdo aktiviteti të prokurimit, ZKA i autoritetit kontraktues duhet të sigurojë që të bëhet  vlerësim formal i nevojave.

Nga kjo nënkuptohet se para inicimit të cilit do aktivitet prokurimi duhet përmbushur saktësisht te gjitha kërkesat e nenit  9 të LPP-ës.  Mos përmbushja e te gjitha kërkesave (paragrafëve ) nga neni i cekur me lart përbën shkelje  te dispozitave të LPP-së dhe legjislacionit dytësore për prokurim publik andaj rekomandohet  AK  të veproi ne pajtim me dispozitat e cekuar me lartë.

Siç ka parë Periskopi, kjo pikë është shkelur nga prokurimi i MMPHI-së. Kjo pasi, sa i përket deklaratës se disponueshmerise se mjeteve , në versionin pdf është Deklaratën e dt 05.01.2023  ne faqe nr. 3 e cila nuk është e nënshkruar nga personat përgjegjës. Si dhe Deklaratën e disponueshmerise se mjeteve e cila është nënshkruar nga personat përgjegjës, mirëpo në ditën e nxjerrjes se vendimit për rekomandim me kontrata pra 31.05.2023.

Pika II –Te pika 2.3, e dt,  te ndarja në Lote minsitria ka specifikuar se numri maksimal i pjesëve që do të shpërblehet te një tenderues është: Një te shënimi shtesë keni specifikuar se OE mund të marr pjese në më shumë  se një llot mirëpo është i obliguar për secilin lot të paraqes, kapacitetet financiare qarkullimin në tre vitet e fundit,  mbështetje bankare, sigurinë e tenderit , pajisjet dhe makinerinë, stafin profesional për secilin lot qe veç e veç.

Lidhur me konstatimin numër dy, te ndarja në Lot dhe mundësia e kualifikimit dhe pjesëmarrjes, KRPP- ka rekomanduar qo ministria të verojë në pajtim me nenin 18.5 të RrPP, e cila  specifikon se: Kurdo që AK përcakton kriteret minimale për gjendjen ekonomike dhe financiare apo aftësinë teknike dhe profesionale, në rastet kur kufizon numrin e Loteve që do të shpërblehen tek një OE, AK duhet të merr parasysh që përmbushja e kërkesave minimale të jetë shuma më e lartë për Lotet për të cilat konkurron OE.

Periskopi ka parë se Autoriteti kontraktues -MMPHI, sa i përket pikës 2.3 te Dosjes se tenderit, OE mund te marr pjese ne me shume se një lot duke paraqitur kapacitetet e kërkuara për Lotin me vlerën me te madhe. Pra kjo pikë është përmirësuar.

III-  Lidhur me konstatimin numër tre, ku ministria ka konstatuar specifikuar se në raste te konozorciumit lideri i grupit duhet të ketë 60% të kërkesave, KRPP ka rekomanduar të veproni në pajtim me RrPP konkretisht  nenin  26.10 i cili specifikon se: Kur është e nevojshme, autoritetet kontraktuese mund të përcaktojnë në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë se si grupet e Operatorëve ekonomik duhet të përmbushin kërkesat për gjendjen ekonomike dhe financiare ose aftësinë teknike dhe profesionale të referuar në nenin 68 dhe 69 të LPP-se, ku AK-se mund të përcaktojnë një përqindje minimale në drejtim të plotësimit të kërkesave nga lideri i grupit të OE.

Nga kjo kuptohet se në këtë rast autoriteti mund të kërkoj një minimum te kërkesave kualifikues për liderin por jo si në rastin tuaj ku keni specifikuar 60%. Ndërsa lidhur me  kriteret e kualifikimi lidhur me 10 Vitet e fundit, KRPP ju  rekomandon të veproni sipas paragrafit 6.2 të nenit 69 të LPP-së.

Bazuar në dosjen finale të tenderit, Periskopi ka parë që kjo pikë nuk është adresuar nga ministria. Është lënë ashtu siç ka qenë.

IV- Te pika 30.1 Kriteri i dhënies se kontratës përkatësisht nen kriteret,  keni specifikuar se si nën kriter do të poentohen edhe stafi si në vijim, Menaxheri i projektit i vlerësuar me poena më së shumti, Menaxheri projektit i vlerësuar, Udhëheqësi i punishtës i vlerësuar me poena më së shumti, Udhëheqësi i punishtës,  Ingjinier i hidroteknikës i vlerësuar me poena më së shumti, Ingjinier i hidroteknikës, Gjeodeti i vlerësuar me poena më së shumti, Gjeodeti i vlerësuar,  Inxhinier i komunikacionit i vlerësuar me poena më së shumti, Inxhinier i komunikacionit,  Inxhinier i elektroteknikës (drejtimi elektroenergjetikë ose energjetikës) i vlerësuar me poena

Dhe,  Inxhinier i elektroteknikës (drejtimi elektroenergjetikë ose energjetikës).

Lidhur me kriterin për dhënie të Kontratës, AK ka specifikuar se kriteri për dhënie të kontratës është kriteri Tenderi i përgjegjshëm ekonomikisht më i favorshëm, mirëpo te nën kriteret e vlerësimit keni kërkuar edhe stafi i cili është edhe kërkesë kualifikues.

Mbi këtë bazë KRPP, rekomandon  autoritetin kontraktues të veproni sipas  nenit 27.10 të RrPP e cila specifikon se: Kriteret minimale për kualifikim (kriteret e përzgjedhjes) nuk përdorën si kritere në procesin e dhënies së kontratës. Tenderuesit do të konsiderohen të kenë përmbushur kërkesat minimale në lidhje me kapacitetin e tyre për të përformuar kontratën që do të thotë që kriteret në lidhje me përvojat paraprake dhe historikut të kompanisë nuk do të shihen si kritere në procesin e dhënies së kontratës.

Bazuar në këtë KRPP rekomandon autoritetin kontraktues që lidhur me nën kriteret të veproi sipas nenit 27.3 të RrPP i cili specifikon se: Nëse kriteri është ‘tenderi ekonomikisht më i favorshëm’, kontrata duhet ti jepet tenderit i cili më së miri përmbushë kriteret relevante. Përveç çmimit AK mund të përfshijë kritere tjera relevante për lëndën e kontratës, siç janë:

  1. Karakteristikat e cilësisë
  2. Kostot Operative, të mirëmbajtjes dhe kosto tjera të jetë-gjatësisë
  3. Karakteristika funksionale, teknike, mjedisore, estetike ose të ngjashme
  4. Shërbimi i pas-shitjes dhe asistencës teknike.

Lidhur më pikën numër 4, e cila ka qenë njëra prej rekomandimeve kryesore, sepse vendosët drejtpërdrejtë për operatorët e rekomanduar për kontratë, Periskopi para disa ditëve ka bërë një shkrim ekskluziv.

“Bazuar në këto si me lartë,  rekomandojmë  Zyrën  e prokurimit në autoritetin kontraktues- Ministria e Infrastrukturës të korrigjoj këto lëshime konform rekomandimeve të KRPP-së dhe në përputhje me dispozitat cekura më lartë”, thuhet në fund të rekomandimit të KRPP-së.

 

Periskopi ka raportuar se kontratat janë nënshkruar, ani pse ka qenë një ankesë aktive nga një operatorë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Kjo përbën shkelje të ligjit. Kontrata janë nënshkruar nga përfaqësuesi i operatorit fitues, ndërsa nga ana e ministrisë firmën e kanë hedhur, zëvendësministri, Hysen Dumrishi, Sekretari, Izedin Bytyqi dhe udhëheqësi i Divizionit të Prokurimit, Nexhat Krasniqi, i njohur në opinion si “Baba i tenderëve”.

Ankesa në OSHP nuk është shqyrtuar akoma, ndërsa punimet kanë nisur para pakë ditëve, të cilat janë përuruar para pak ditëve nga kryeministri, Albin Kurti.

“OSHP konform kompetencave ju njofton se për aktivitetin e prokurimit me titull: : Zgjerimi i rrugës Nacionale N25, Prishtinë – Besi – Podujevë, Loti 0, 1, 2, 3 dhe strukturat Lot 5, iniciuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, OSHP-ja, për aktivitetin e prokurimit ne fjale, me date 16.06.2023 ka pranuar ankese te cilën OSHP e ka kualifikuar si të plotë dhe për ankesën me numër te protokollit 2023/397, sipas dispozitave te nenit 113 dhe 114 e ka autorizuar ekspertin shqyrtues për shqyrtimin e pretendimeve ankimore”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së për Periskopin.

Por, a është e ligjshme nëse MMHI nënshkruan kontratat për këtë tender, akoma pa u shqyrtuar ankesat nga OSHP-ja? Periskopi e ka pyetur këtë institucion dhe ka marrë këtë përgjigje:

OSHP ju njofton se bazuar ne nenin 112 të LPP-së, Efekti pezullues i ankesave përveç nëse paneli përkatës shqyrtues nxjerr një vendim tjetër me shkrim dhe përderisa ta nxjerrë këtë vendim, dorëzimi i një ankese e obligon autoritetin kontraktues që automatikisht ta pezullojë zbatimin e aktivitetit të prokurimit me të cilin ka të bëjë ankesa në fjalë”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.

Ministria, jo që nuk e ka pezulluar aktivitetin e vet, por ankesës i është përgjigjur me nënshkrim të kontratave.

Para disa ditëve, MMPHI ka lidhur pesë kontrata më këto kompani

Për lot 0 është rekomanduar Grupi Operatoreve Ekonomik: “Pro& Co Group” Shpk; “Levantia Ingenieria Y Construccion sl”  në vlerë prej 6. 484, 854, 58 euro.

Për lot 1, Grupi Operatorëve Ekonomik “2 A Group” Shpk; “Vega” shpk, në vlerë prej  8, 447, 477.70 euro.

Për lot, 2 Grupi Operatorëve Ekonomik “Bujar Shabani B.I” ; “Kosova Asfalt” Shpk’; “Bageri-1” Shpk; “El-Bau” Shpk, në vlerë prej  8, 644, 259.75 euro.

Për lot 3 Grupi Operatorëve Ekonomik “Agbes Construksion” Shpk; “Arbotec”. Shpk; “Geo Construction” Shpk; “Mineral L.L. C”; “MB Group” Shpk, në vlerë prej 9, 254, 811. 42 euro.

Për lot 5 Grupi Operatorëve Ekonomik “Beni- Com” Shpk; “Saba Belca” -Dega në Kosovë; “Sherif” Shpk, në vlerë prej 1, 443, 784. 50 euro.

Kjo nuk ka qenë shkelja e vetme që ka bërë prokurimi ministrisë.

Periskopi ka bërë disa shkrime ekskluzive lidhur më ecurinë e këtij tenderi. Dy nga ta kanë të bëjë më publikimin e dy opinioneve që e ka lëshuar Komisioni Rregullativ të Prokurimit Publik i cili është  kompetent  për  zbatimin dhe zhvillimin e përgjithshëm  të sistemit të Prokurimit Publik në Kosovë.

Periskopi ka zbuluar se ky institucion i ka kërkuar ministrisë që të përmirësojë disa kritere në dosjen e tenderit. Por, ministria nuk ia ka marrë për bazë ato, derisa ka vazhduar me zellin e njejtë për lë lidhur kontrata me kompanitë favorizuese/Periskopi -Mentor Buzhala/

Shpërndaje në: