Skandaloze: Shkëlzen Gashi i quan mediat organizata kriminale, e gazetarët kriminelë
Analisti Shkëlzen Gashi ka lëshuar një deklaratë skandaloze për mediat dhe gazetarët në Kosovë.
Gashi, në një Podcast të cilin po e moderon bashkë me analistin tjetër Rron Gjinovci, i ka quajtur mediat organizata kriminale, e gazetarët kriminelë, shpifës e ofendues.
Këtë deklarim ai e ka bërë duke mbrojtur dhe arsyetuar qeverinë Kurti, për skandalet e njëpasnjëshme të cilat janë publikuar nga mediat.
“Është një send që duhet me e pas parasysh qeveria Kurti, sidomos kryeministri Kurti, që bashkëpunëtorët e vet edhe njerëzit që i ka afër me bashkëpunu me të, qoftë në nivelin politik qoftë në nivelin personal, kur sulmohen prej organizatave kriminale që quhen media edhe prej kriminelëve që quhen gazetarë, gabimisht, shpifësve edhe fyesve e ofenduesve, duhet me dal edhe me i mbrojtë, sepse kjo ka qenë edhe një prej arsyeve që ka ndiku që njerëzit profesionistë mos me u angazhu në qeveri edhe në institucione si profesionistë”, ka thënë analisti Gashi.
Podcasti i tij dhe i Rron Gjinovcit, “Rrjedha”, po transmetohet në KTV.
Shkëlzen Gashi njihet për disa deklarata të tij problematike.
Si shkak i disa akuzave kundër UÇK-së, duke i akuzuar ushtarët e saj për vrasje të paligjshme gjatë luftës, ai ishte shkarkuar nga pozita e këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti.
E përveç këshilltar i kryeministrit Kurti, Gashi deri vonë ka qenë edhe analist i rregullt në emisionin “Pressing” në T7, që drejtohet nga gazetari Leonard Kerquki./Infokus