“Skandaloze, Serbia kontrollon burgjet tona?”, kërkohet përgjegjësi për deklaratën e Haxhiut

“Skandaloze, Serbia kontrollon burgjet tona?”, kërkohet përgjegjësi për deklaratën e Haxhiut

Si “skandaloze” e kanë cilësuar akterët politikë opozitarë në vend dhe njohësit e çështjeve të drejtësisë deklaratën e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se Serbia ka nxitur arratisjet e të burgosurve nga burgjet e Kosovës.

Të prononcuarit e Albanian Post kanë kërkuar përgjegjësi politke, por edhe jurdike nëse janë të vërteta, për këto deklarata të ministres, po ashtu edhe hetim për të gjitha këto dështime, sa i përket arratisjeve.

Ministrja e Drejtësisë nuk ka dhënë fare përgjegjësi, madje në disa raste ajo dhe vartësit e saj kanë tentuar që të hedhin fajin tek institucionet tjera, sa i përket arratisjeve të fundit, tri në tre muaj.

Para disa orësh, Haxhiu, duke folur për rastin e Faton Hajrizit, i arratisur para pak javësh nga burgu i Smrekonicës, i vrarë të premten nga policia serbe, pasi që kërkohej nga autoritetet serbe si i dyshuar për vrasjen e një polic serb dhe plagosjen një tjetri të enjten, tha se arratisjet nga burgjet “janë organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.

“Është skandaloze, thënë më së buti”, thotë Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, në një prononcim për Albanian Post.

“Ministrja Haxhiu paska thënë se Serbia kontrollon burgjet tona”, reagon tejet e habitur Çitaku, “dhe në to ka pushtet më shumë se Qeveria e Kosovës”.

“Nuk e di cila është më e rëndë”, shton ajo,” nëse ky aludim është i sakët, apo nëse është fabrikim në përpjekje për të mbuluar dështimin”.

Ajo rikujton se Faton Hajrizi nuk është rasti i vetëm i arratisjeve, derisa përmend edhe një eksponent tjetër, i mirënjohur në botën e krimit, i cili pasi që u dënua nga gjykata për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, u arratis.

“Enver Sekiraqa, një kriminel me pedigre, ka ikur nga duart e shtetit, dhe askush nuk jep përgjegjësi, vetëm arsyetime koti”, rikujton Çitaku, duke kërkuar hetim për “këto dështime recidive”.

Ndërsa, për Ehat Miftarajn, drejtor i Institutit Kosovar për Drejtësi (IKD), deklarata e Haxhiut duhet parë më shumë “si përpjekje e dobët për të menaxhuar me dështimin e saj si ministre për të menaxhuar dhe siguruar se të dënuarit që janë në vuajtje të dënimit në shërbimin korrektues të mbajnë dënimin e shqiptuar nga gjykata”.

“Është fakt se Serbia është kthyer në një parajsë për kriminelet serbë që kryejnë vepra penale në Kosovë duke iu ofruar edhe mbështetje institucionale dhe shtetërore, madje duke iu ofruar edhe poste shtetërore”, thotë ai për AP, duke iu referuar krimenlëve serbë që ikin nga Kosova në Serbi.

Sidoqoftë, ai potencon se në as edhe një rast kjo nuk ka ndodhur deri me tani me ndonjë shqiptar.

“Rasti Hajrizi është rast i izoluar, ku tani i ndjeri për shkak të keqmenaxhimit dhe keqadministrimit me burgjet nga vet kabineti i Ministres, i njëjti ka ikur nga vuajtja e dënimit, dhe për këtë përgjegjëse është vet Ministria e Drejtësisë”, pohon.

Megjithatë, Miftaraj potencon se nëse Haxhiu ka dëshmi se Serbia ka ndikuar në arratisjen e tij “duhet t’i bëjë publike dhe të informojë publikun se si ka mundësi që një gjë e tillë të ndodh më ministrinë që ajo udhëheq”.

“Për më tepër nëse kjo është e vërtetë dikush duhet të jap llogari dhe përgjegjësi para ligjit”.

Nga ana tjetër, ai thekson se nëse Haxhiu nuk ofron fakte dhe dëshmi, edhe qëndrimi publik i saj “nuk është asgjë më shumë se përpjekje e dështuar për t’i ikur përgjegjësisë dhe llogaridhënies dhe bombardim i opinionit publik me lajme të paqena”.

“Sikurse, kjo qasje ndikon edhe të partnerët ndërkombëtarë të cilët nuk i marrin seriozisht kërkesat e Kosovës edhe në rastet kur kemi të drejtë”, ngrit shqetësimin ai.

Çka ndodhi?

Të shtunën e 20 korrikut, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pretenduar se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës i ka nxitur Serbia.

Këto komente, Haxhiu i ka bërë përmes një postimi në Facebook, derisa ka komentuar rastin e Faton Hajrizit.

Fillimisht, Haxhiu tha se përdorimi etno-politik “i aktit kriminal të vrasjes së një polici në Lloznicë nga ana e Qeverisë së Serbisë është i papranueshëm, i qëllimshëm dhe i parapërgatitur”.

“Nëpërmjet ish zëdhënësit të partisë së Sllobodan Millosheviç-it (SPS), tash kryetar i saj dhe ministër i punëve të brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, u dha lajmi se i arratisuri nga burgu në Kosovë, Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra të rënda kriminale, është vrarë”, shkroi Haxhiu.

Informacionet këto ditë, sipas saj, ishin kundërthënëse, andaj, ajo pohon se “nuk mund ta dimë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”.

“Aktet e ikjes së disa personave me precedent penal, që janë në vuajtje të dënimit apo në pritje të ekzekutimit të dënimit, janë shpeshtuar sistematikisht së fundmi në një mënyrë të tillë që më së paku do mund të kualifikoheshin si koincidencë”.

Akti i vrasjes të një polici e plagosjes së një tjetri në afërsi të Lloznicës në Serbi, në prizmin e Ministres Haxhiu, “janë padyshim vepra të rënda kundër rendit, ligjit e policëve në detyrë zyrtare”.

“Dënimi ndaj vrasjes së policëve është padiskutim akt i dënueshëm në çdo kuptim ligjor e moral. Ne dënojmë fuqishëm çdo veprim të tillë”, potencoi ajo.

“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë”.

Ajo potencoi se “informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.

“Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës. Mburoja nuk jepet vetëm ndaj mos-ekstradimit por ndaj çfarëdo bashkëpunimi informativ me organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës”.

Një mbështetje e tillë, shtoi Haxhiu, “është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës”.

“Ofrimi i territorit të Serbisë si mburojë ndaj ndjekjes së organeve penale të Republikës tonë i shërben krimit dhe kontribuon hapur cenimit të stabilitetit institucional e ligjor të Republikës së Kosovës. Shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior”.

Në anën tjetër, ministrja thekson se përdorimi i aktit të vrasjes kriminale të policit nga ministri i brendshëm në Serbi si shtysë e bazë legjitimimi për të krijuar nevojën e një kauze kundërsulmi ndaj shqiptarëve dhe institucioneve të tyre, apo për të krijuar një rrethanë të kinse barazimit me ngjarje të pakrahasueshme në asnjë dimension, “është tërësisht i papranueshëm dhe i qëllimshëm”.

“Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd e që kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike”, vlerëson.

Në këtë situatë, Haxhiu pohon se një hetim vendor dhe ndërkombëtar “është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës”.

Si ministre e drejtësisë, ajo pohoi se ofron bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim.

Shpërndaje në: