Skandaloze: Qeveria Kurti pajisë qindra vetura zyrtare me targa civile që të keqpërdoren tinëz pas orarit të punës dhe vikendeve (Dokument)

Skandaloze: Qeveria Kurti pajisë qindra vetura zyrtare me targa civile që të keqpërdoren tinëz pas orarit të punës dhe vikendeve (Dokument)

Qindra vetura zyrtare janë pajisur me targa civile gjatë dy viteve të fundit, kryesisht për shkak të tendencës së vazhdueshme të  zyrtarëve shtetëror që t’i përdorin veturat e tilla jashtë orarit të punës, por edhe gjatë vikendeve.

 

Jo rrallëherë në të kaluarën zyrtarë të papërgjegjshëm shtetëror janë parë me vetura zyrtare në dasma, gjatë vikendeve në bregdetin shqiptar, por edhe rasti më ekstrem ishte para disa viteve në rrugën Prishtinë-Pejë, respektivisht në fshatin Balincë, në mes të rrugës dhe në pikë të ditës një zyrtar i shtetit të Kosovës kryente marrëdhënie seksuale në veturën me targa 4Z, e cila shfrytëzohej nga Prokuroria Themelore e Pejës, raporton portali Front Online.

Për shkak të rasteve të tilla të keqpërdorimit të veturave zyrtare, ish-ministri i Brendshëm i Kosovës, Flamur Sefaj, në vitin 2017 kishte marrë vendim që t’i anulojë të gjitha targat civile, pasi që ishin mbi 250 vetura të Qeverisë me targa të dyfishta.

Portali Front Online në muajin gusht 2024 i ka dërguar disa pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) në lidhje me veturat zyrtare që janë të pajisura me targa civile. Mirëpo, as pas dy javë pritjeje nga Ministria që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla nuk janë përgjigjur.

Pas këtij refuzimi, Front Online ka insistuar që përgjigjet t’i marrë bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike nëpërmjet Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), me ç’rast kjo e fundit ka arritur t’i siguroj përgjigjet e kërkuara nga MPB-ja.

Përndryshe, vendimet për targat e dyfishta janë marrë gjatë viteve 2023 dhe 2024, gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti”, edhe pse kryeministri Albin Kurti sa ishte në opozitë ishte kundër keqpërdorimit të veturave zyrtare dhe xhipave me xhama të zi, raporton Front Online.

 

Presidenca, Kuvendi, Zyra e Kryeministrit-Lista e plotë e institucioneve që kanë pajisur veturat zyrtare me targa civile

Bazuar në dokumentet e siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) nga 277 vetura zyrtare që kanë targa të dyfishta, mbi 180 janë në zyrën e kryeministrit dhe Ministrive të ndryshme të Qeverisë së Kosovës. Bazuar në dokumentet që posedon Front Online këto institucione shtetërore kanë vetura me targa të dyfishta:

  • Presidenca e Kosovës i ka 15 vetura me targa civile
  • Kuvendi i Kosovës i ka 11 vetura me targa civile
  • Zyra e Kryeministrit i ka 20 vetura me targa civile
  • Ministria e Brendshme i ka 25 vetura me targa civile
  • Inspektorati Policor i ka 31 vetura me targa civile
  • Ministria e Punëve të Jashtme i ka 5 vetura me targa civile
  • Ministria e Drejtësisë i ka 12 vetura me targa civile
  • Ministria e Financave i ka 2 vetura me targa civile
  • Ndërmarrja Publike “Ibër Lepenc” e ka 1 veturë me targa civile
  • Institucionet financiare i kanë 5 vetura me targa civile
  • Administrata Tatimore e Kosovës i ka 15 vetura me targa civile
  • Inspektorati i Punës e ka 1 veturë me targa civile
  • Zyra e Thesarit e ka 1 veturë me targa civile
  • Ministria e Infrastrukturës i ka 7 vetura me targa civile
  • Ministria e Arsimit i ka 6 vetura me targa civile
  • Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka 6 vetura me targa civile
  • Ministria e Shëndetësisë i ka 4 vetura me targa civile
  • QKUK-ja i ka 2 vetura me targa civile
  • Qendra e Shëndetit Mendor i ka 2 vetura me targa civile
  • Ministria e Mjedisit i 2 ka vetura me targa civile
  • Ministria e Pushtetit Lokal e ka 1 veturë me targa civile
  • Ministria e Tregtisë i ka 2 vetura me targa civile
  • Ministria e Bujqësisë i ka 6 vetura me targa civile
  • Ministria e Kulturës i ka 2 vetura me targa civile
  • Ministria për Kthim i ka 2 vetura me targa civile
  • Ministria e Zhvillimit Rajonal e ka 1 veturë me targa civile
  • Gjykata Kushtetuese i ka 2 vetura me targa civile
  • Këshilli Gjyqësor i ka 2 vetura me targa civile
  • Gjykata Supreme i ka 2 vetura me targa civile
  • Këshilli Prokurorial i ka 16 vetura me targa civile
  • KQZ-ja i ka 3 vetura me targa civile
  • Banka Qendrore e Kosovës i ka 3 vetura me targa civile
  • Komisioni i Pavarur i Mediave i ka 2 vetura me targa civile
  • Agjencia e Privatizimit e ka 1 veturë me targa civile
  • Agjencia për Informim dhe Privatësi i ka 5 vetura me targa civile
  • Agjencia e Pronës e ka 1 veturë me targa civile
  • Agjencia për Menaxhimin e Memorialeve e ka 1 veturë me targa civile
  • Agjencia për Komunikime Elektronike dhe Postare i ka 4 vetura me targa civile
  • Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës i ka 3 vetura me targa civile
  • Dogana e Kosovës i ka 28 vetura me targa civile
  • Komuna e Prishtinës, Obiliqit, Leposaviqit i kanë nga 2 vetura me targa civile
Veturat me targa civile të Ministrisë së Ekonomisë
Veturat me targa civile të Ministrisë së Ekonomisë

13 vetura me xhama të zi/ Nga një veturë në zyrën e Kurtit, Sveçlës dhe Pecit,…, por edhe një në ndërmarrjen publike “Ibër Lepenc”

Sipas përgjigjeve të dërguara nga MPB nëpërmjet AIP, janë hiç më pak se 277 vetura zyrtare që kanë edhe targa civile.

Përpos kësaj, janë 13 vetura zyrtare për të cilat është marrë vendim për xhamat e hijezuar, përfshirë këtu një veturë në Zyrën e kryeministrit Kurti, një në Ministrinë e Punëve të Brendshme, katër vetura në Ministrinë e Drejtësisë, një në ndërmarrjen publike “Ibër Lepenc”, një në Ministrinë e Arsimit, dy vetura në Ministrinë e Shëndetësisë, një në Ministrinë e Bujqësisë dhe nga një veturë me xhama të errësuar në Komunën e Prishtinës dhe atë të Obiliqit.

Ish zv/ministri i Brendshëm: Ministrat s’ka nevojë të shëtitën me vetura zyrtare që kanë targa civile, ka tendencë të keqpërdorimit

 

Ish-zv/ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka kritikuar Qeverinë “Kurti” lidhur me pranimin e kërkesave të zyrtarëve për t’i pajisur veturat zyrtare me targa civile.

Hoxha ka deklaruar për “Front Online” se ky është një keqpërdorim.

Tutje, Hoxha thotë se zyrtarët e shtetit është e panevojshme t’i ndërrojnë tabelat.

“Këto kërkesa kanë një tendencë të keqpërdorimit, përveç atyre veturave që kryejnë detyra specifike që janë në organet specifike si: Policia, AKI, ndërsa veturat që janë në shërbim të zyrtarëve që punojnë në çdo Ministri është e panevojshme që të ndërrohen tabelat e mos të  identifikohen si zyrtarë se po keqpërdoren”, u shpreh Hoxha për FrontOnline.

Hoxha thotë se në kaluarën nuk ka pas raste të shumta si aktualisht.

Sipas tij, kërkesat e tilla duhet të refuzohen.

“Gjatë 2015-2017 ka pasur kërkesa të tilla, por në numër të vogël dhe janë refuzuar shumica e kërkesave që t’i kthejnë nga zyrtare ne civile. Edhe tani nuk duhet të aprovohen kërkesat e tilla”, theksoi Hoxha.

Ish-drejtori i Policisë: Veturat zyrtare me targa civile, mundësi për keqpërdorime

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, njëherit deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Rashit Qalaj, ka konfirmuar për Front Online se një numër, siç ka thënë ai, enorm i makinave zyrtare të Qeverisë po “konvertohen me tabela civile”.

Qalaj ka deklaruar për “Front Online” se kjo gjë është e pakuptime, si dhe lë vend për keqpërdorim.

“Veturat zyrtare që i kanë në shumicën e rasteve po i përdorin me targa civile. Kjo gjë nuk ka arsye dhe është e pakuptimtë, por dhe lë shumë dyshime për keqpërdorime”, deklaroi Qalaj për “Front Online”.

Shqipe Pantina: Zyrtarët e Qeverisë “Kurti” po i përdorin makinat zyrtare për ahengje

Ish-deputetja e LVV-së, Shqipe Pantina ka folur për “Front Online” lidhur me veturat e zyrtarëve që po keqpërdoren me tabela civile.

Pantina ka deklaruar se zyrtarët e Qeverisë po i përdorin makinat edhe për ahengje.

“Po keqpërdoret maksimalisht nga zyrtarët e Qeverisë. Veturat zyrtare po i përdorin për arsye private. Zyrtarët i përdorin makinat zyrtare edhe për ahengje, por nuk vërehen, sepse nuk vërehen nga tabelat”, deklaroi Pantina.

Sipas saj, zyrtarët po i pajisin veturat me targa civile që mos të vërehen në komunikacion.

“Në të kaluarën ka pasur qindra raste kur veturat zyrtare janë parë në ditë vikendi edhe jashtë vendit. Kjo është kritikuar e kjo të mos vërehet zyrtarët e VV po i kthejnë targat në civile sepse e kanë më të lehtë t’i keqpërdorin veturat zyrtare për nevojat e tyre private”, theksoi Pantina.

Shpërndaje në: