Skandaloze/ Ministria në Maqedoni të Veriut i referohet Kosovës si “Kosova dhe Metohija”
Zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie Midis Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, në Beograd, kishte vizituar kampin e ashtuquajtur të fëmijëve “Serbia të thërret” ku kishin marrë pjesë edhe rreth 50-të fëmijë nga Maqedonia e Veriut.
Ngjarja ka ndodhur gjatë periudhës nga 1 deri më 11 gusht të vitit të kaluar, kurse në përshkrimin e ngjarjes, në ueb faqen zyrtare të kësaj ministrie, ende qëndron ky tekst, “Pjesë e kampit që tërësisht është pa pagesë e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç, janë edhe fëmijët nga Kosova dhe Metohia…”
Të rikujtojmë se më 09 Tetor 2008 Maqedonia njohu pavarësinë e Kosovës kurse ky veprim i ministrit Stoilkoviq është edhe në kundërshtim me zotimet e dy kryeministrave Mickoski – Kurti gjatë mbledhjes së përbashkët qeveritare Kosovë – Maqedoni e Veriut në nëntor të vitit të kaluar.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristjan Mickoski, në konferencën e përbashkët me Kurtin në Prishtinë, mes tjerash u përgjigje edhe në pyetjet lidhur me mungesën e Stoilkoviqit nga delegacioni qeveritar i Maqedonisë, i cili në Kosovë kishte udhëtuar thuajse në përbërje të plotë.
Sipas Mickoskit edhe pse kishte pasur shumë dëshirë të jetë i pranishëm në Prishtinë, mungesa e Stolikoviqit kishte qenë e arsyeshme.
Por, duke komentuar qëndrimet e tij për shtetësinë e Kosovës dhe nëse ka biseduar me të për këtë çështje, kryeministri Mickoski dha këtë përgjigje.
“Mendoj se si shtet dhe si qeveri shumë më herët kemi treguar se çfarë është Kosova, ndër të parët në botë. Nuk duhet të lejojmë që kjo temë të keqpërdoret. Nëse vazhdimisht dikush përpiqet që kjo të përsëritet, mendoj se do ta humbim thelbin. Mendoj se kjo që ndodh sot dhe paraprakisht në Shkup, në vet fillimet e pavarësisë së Kosovës dhe atë që bëri qeveria maqedonase ndër të parët në botë, është treguesi i qartë për qëndrimin tonë”, tha Mickoski.
Dy kryeministrat Kurti dhe Mickoski gjatë konferencës thanë se Prishtina dhe Shkupi nuk besojnë se dallimet etnike, pa u nxitur nga qarqe të caktuara politike, mund të sjellin tensione të reja në Ballkan.
Kur jemi te qarqet e caktuara politike, vlen të përmendet protesta e së shtunës para Ambasadës serbe në Shkup, në mbështetje të presidentit serb mbase kjo si kundërpërgjigje të protestës së studentëve të Shkupit në mbështetje të kolegëve të tyre nga Beogradi.
Derisa edhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti ka reaguar duke thënë se Stoilkoviq është përfaqësues i serbëve dhe se nuk pretendojnë ta bëjnë shqiptar. Derisa sa tha se për të kanë dhënë një porosi.
“Sa i përket Stoilkoviq, ne e dhamë një porosi momentin që u votu interpelanca për Stoilkoviq deputetët e Vlenit nuk ish asnjë prezent aty. Ne nuk e mohojmë se Stoilkoviq është përfaqësues i serbëve nuk pretendojmë ta bëjmë shqiptar, as të mendoj si ne por dallimet mes neve dhe atyre të kaluarve kanë qenë se me vetë iniciativë u bënë pjesë e Open Ballkan i cili nuk e njihte Kosovën. Ne Republikën e Kosovës e njohim”, shtoi Mexhiti.